Një përshkrim për mënyrën se si, sipas tij, është ndërtuar dhe funksionon pushteti në Shqipëri, bëri analisti Andi Bushati gjatë një diskutimi televiziv në SyriTv.
Bushati u ndal te marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me disa prej personazheve që kanë qenë pjesë e qeverisjes së tij ndër vite.
Sipas analistit, Rama nuk duhet parë si ortak i drejtpërdrejtë i këtyre figurave, por si personi që qëndron në krye të një strukture ku bashkëpunimet ndryshojnë në varësi të situatës.
“Rama është padrino, që mund të ketë deal-e të përkohshme me Belindën, me Saimir Tahirin, me Erion Veliajn, me të tjerë, por nuk është ortaku i tyre”, deklaroi Bushati.
Në diskutim u përmendën disa prej çështjeve që kanë shoqëruar qeverisjen e Ramës, mes tyre dosjet që lidhen me Saimir Tahirin, Erion Veliajn, Belinda Ballukun, tenderat e AKSHI-t, Ergys Agasin dhe zhvillimet e fundit rreth çështjes së Vlorës.
Pikërisht përsëritjen e këtyre rasteve Bushati e konsideroi si argumentin e tij kryesor për të kundërshtuar idenë se bëhet fjalë për episode të izoluara.
“Kur e njëjta skemë vërtetohet me prova, te kanabisi dhe te Saimir Tahiri, te modeli i 5D-së dhe vjedhja e zgjedhjeve në Tiranë, te tenderat e Belinda Ballukut, te tenderat e AKSHI-t, te Gysi dhe te Vlora, kjo tregon që kjo nuk është më një rastësi”, u shpreh ai.
Analisti e përshkroi këtë model, sipas interpretimit të tij, si një strukturë pushteti që funksionon në formën e një hierarkie kriminale.
“Struktura e pushtetit në Shqipëri është si një piramidë e një bande kriminale”, deklaroi Bushati gjatë debatit.
Duke iu përgjigjur edhe pyetjes së moderatorit Çim Peka nëse bëhej fjalë për “dyshe apo treshe”, Bushati tha se nuk mund të përcaktonte një skemë të tillë fikse, por këmbënguli se sipas tij ka pasur bashkëpunime të ndryshme mes figurave të pushtetit.












