Izraeli ka vendosur t’u heqë statusin diplomatik diplomatëve holandezë që shërbejnë në Ramallah, në Bregun Perëndimor, pas vendimit të Holandës për të ndaluar importin, blerjen dhe shitjen e produkteve nga vendbanimet izraelite në territoret palestineze të pushtuara.
Vendimi ka përshkallëzuar më tej tensionet diplomatike mes dy vendeve, marrëdhëniet e të cilave janë tensionuar ndjeshëm që prej nisjes së luftës në Gaza.
Ministri i Jashtëm holandez, Tom Berendsen, shprehu keqardhjen për vendimin e Izraelit, duke e cilësuar atë si të panevojshëm.
Sipas Berendsen, masa e Holandës nuk është e drejtuar kundër shtetit të Izraelit, por lidhet me detyrimet që, sipas Amsterdamit, rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare për të mos mbështetur situata që konsiderohen të paligjshme, përfshirë vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze.
Berendsen ka thirrur në takim ambasadorin izraelit në Holandë për të kërkuar shpjegime lidhur me vendimin.
Ai paralajmëroi se, nëse Izraeli nuk e ndryshon qëndrimin, diplomatët holandezë të prekur nga masa do të duhet të largohen nga territori brenda shtatë ditësh. Deri tani nuk është bërë e ditur se sa diplomatë preken nga vendimi.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm izraelit, Israel Saar, njoftoi se diplomatët holandezë që punojnë në Ramallah duhet të dorëzojnë brenda shtatë ditësh dokumentet e tyre diplomatike, të lëshuara nga autoritetet izraelite.
Saar deklaroi se Izraeli nuk do të lejojë masa që, sipas tij, synojnë të dëmtojnë vendin. Ai akuzoi gjithashtu Holandën për një qëndrim armiqësor dhe paralajmëroi për atë që e përshkroi si “antisemitizëm dhe nxitje urrejtjeje” në Holandë.
Pse nisi përplasja?
Përplasja e fundit diplomatike vjen pas vendimit të Holandës për të ndaluar importin dhe tregtimin e produkteve nga vendbanimet izraelite, të cilat Amsterdami i konsideron të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare në territoret palestineze.
Izraeli dhe Holanda kanë pasur marrëdhënie të afërta për dekada, por ato janë tensionuar ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Gaza.
Në Holandë janë shtuar ndërkohë thirrjet politike për vendosjen e masave ndaj Izraelit, krahas kritikave ndaj mënyrës së zhvillimit të operacioneve ushtarake në Gaza.
Tensionet janë reflektuar edhe në qëndrimin e Holandës ndaj Eurovisionit. Vendi ishte ndër shtetet që bojkotuan edicionin e vitit të kaluar për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit dhe ka deklaruar se synon të rikthehet në garë në vitin 2027.


