Gazetari Armand Shkullaku ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në vend, gjatë një interviste në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, duke e lidhur situatën aktuale me disa prej çështjeve që, sipas tij, kanë shoqëruar qeverisjen e Edi Ramës që prej nisjes së saj.
Shkullaku u ndal fillimisht te çështja e kanabizimit dhe raportimet e atëhershme të SHISH-it, duke e lidhur këtë periudhë me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me radarët dhe hetimet për kontrabandën.
“Mandatin e katërt nuk e mban dot pa krimin me të cilin e nisi dhe me atë po e përfundon”, tha Shkullaku, duke shtuar se në fillim të qeverisjes ishte raportuar për përhapjen e kanabisit në vend.
Sipas tij, në atë kohë raportimet e SHISH-it kishin sjellë përplasje lidhur me drejtimin e institucionit, ndërsa sot, pretendon ai, çështja e radarëve rikthehet në vëmendje për shkak të dyshimeve që lidhen me kontrabandën.
Shkullaku e zgjeroi kritikën edhe te funksionimi i institucioneve shtetërore. Ai pretendoi se një numër i madh institucionesh dhe drejtuesish të rëndësishëm janë përfshirë në problematika që, sipas tij, dëshmojnë dobësim të shtetit dhe të mekanizmave të kontrollit.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe institucione të tjera, gazetari tha se situata, në këndvështrimin e tij, ka arritur në një pikë ku qytetarët duhet të reagojnë.
“Çështja është, do vazhdojmë të mpihemi dhe të kalbemi nga ky qelb, apo shoqëria do marrë iniciativë diçka në dorë”, u shpreh ai.
Në vijim, Shkullaku bëri edhe një apel ndaj socialistëve, duke kërkuar prej tyre të distancohen publikisht nga personat që janë bërë pjesë e debateve dhe hetimeve të fundit.
Ai përmendi konkretisht emrin e biznesmenit Ergys Agasi dhe tha se do të mjaftonte që nga Partia Socialiste të artikulohej publikisht që Agasi nuk përfaqëson partinë apo mazhorancën.
“Partia Socialiste nuk është Ergys Agasi”, tha Shkullaku, duke shtuar se një qëndrim i tillë, sipas tij, do të ishte një mënyrë për të ndarë përgjegjësinë politike nga çështjet që janë aktualisht objekt diskutimi dhe hetimi.
Gazetari u ndal më tej edhe te figura të mazhorancës si Taulant Balla dhe Belinda Balluku, duke argumentuar se, në dallim nga persona të tjerë brenda strukturave politike, ata kanë dalë publikisht dhe kanë mbajtur qëndrime përballë akuzave dhe debateve.
Në fund të intervistës, Shkullaku kundërshtoi idenë se debati kryesor duhet të jetë vetëm nëse kryeministri Edi Rama ka qenë apo jo në dijeni të zhvillimeve të fundit.
Sipas tij, pyetja “a e dinte Rama?” është shumë më e ngushtë se përgjegjësia politike që ai pretendon se duhet të analizohet.
“Historia nuk është më ‘a e dinte Rama’, se kjo është sfidë që na i bëhet inteligjencës tonë”, u shpreh Shkullaku.













