Parlamenti hungarez i hoqi imunitetin, Magyar: Marr përgjegjësinë për të gjitha veprimet e mia

Bota

a-221.png

Parlamenti hungarez i ka hequr të hënën unanimisht imunitetin tre deputetëve, mes tyre edhe kryeministrit Peter Magyar, duke i hapur rrugë hetimit ndaj tij për dyshimet për vjedhje.

Kryeministri i qendrës së djathtë po hetohet pas akuzave se i ka marrë telefonin celular një personi gjatë një përplasjeje në një klub nate në Budapest dhe më pas e ka hedhur atë në lumin Danub.

Të tri kërkesat për heqjen e imunitetit u miratuan me 139 vota pro dhe asnjë kundër, pa abstenime apo vota negative, raporton Politico.

Ngjarja daton në qershor të vitit 2024, pak pas zgjedhjeve europiane, kur partia Tisza e Magyarit u rendit e dyta, pas Fidesz-it të ish-kryeministrit Viktor Orban.

Në një klub nate në Budapest, një burrë po filmonte Magyarin, i cili kundërshtoi dhe i mori telefonin. Pas përplasjes, rojet e shoqëruan Magyarin jashtë ambienteve të klubit. Sipas prokurorëve, në atë moment ai hodhi një objekt të zi në lumin Danub.

Telefoni, me vlerë mbi 100 mijë forinta, rreth 250 euro, u gjet më pas dhe iu kthye pronarit në gjendje funksionale.

Në shtator të vitit 2024, prokurori i përgjithshëm i Hungarisë i kërkoi Parlamentit Europian heqjen e imunitetit të Magyarit, i cili në atë kohë ishte eurodeputet. Kërkesa u refuzua.

Pasi mandati i tij në Parlamentin Europian përfundoi në maj të këtij viti, Magyar u zgjodh deputet në parlamentin hungarez dhe fitoi sërish imunitetin. Prokurorët e rihapën çështjen dhe kërkuan nga deputetët heqjen e kësaj mbrojtjeje, në mënyrë që hetimi të vijojë.

“Nuk kam kryer asnjë krim. Marr përgjegjësinë për të gjitha veprimet e mia”, deklaroi Magyar para deputetëve përpara votimit.

Kryeministri hungarez mohon që sjellja e tij të përbëjë vjedhje dhe e ka cilësuar çështjen si një “përpjekje politike për shpifje, e cila ka dështuar disa herë tashmë”.

Deri tani, Magyar nuk është akuzuar zyrtarisht, ashtu si edhe dy deputetët e tjerë ndaj të cilëve u hoq imuniteti.

Magyar rrezikon të humbasë postin e kryeministrit vetëm nëse shpallet fajtor dhe dënohet me burgim. Nëse shpallet fajtor, por merr një dënim pa heqje lirie, skenar që konsiderohet i mundshëm, ai mund ta mbajë postin, por mund të përballet me humbjen e mbështetjes politike dhe partiake.

ME TE LEXUARAT