Rihapet hetimi për akuzën e përdhunimit në grup në Universitetin Cornell, studentja pretendon se ishte droguar
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj lirimit me kusht të pesë shtetasve britanikë të arrestuar pranë një baze ajrore të përdorur nga ushtria amerikane në Britani, duke thënë se ai nuk do t’i kishte liruar.
“Isha i befasuar që u liruan, nuk do ta bëja këtë”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale, duke iu referuar pesë britanikëve të arrestuar me dyshimin për planifikimin e një sulmi ndaj bazës.
Pesë të dyshuarit, të moshave 23 deri në 25 vjeç, u liruan me kusht më herët gjatë ditës, por mbeten nën hetim.
“Nuk do t’i lija të shkonin”, tha Trump, duke shtuar se ishte befasuar nga vendimi për lirimin e tyre.
Gjatë bisedës me gazetarët, Trump foli edhe për luftën me Iranin. Ai tha se zyrtarët amerikanë kanë zhvilluar sot bisedime me ndërmjetës që po përpiqen t’i japin fund konfliktit, ndërsa përsëriti se Shtetet e Bashkuara do ta fitojnë luftën “shumë shpejt”.
“Ne do të fitojmë, në një mënyrë ose në një tjetër. Do të ndodhë shumë shpejt”, u shpreh presidenti amerikan.
Trump përsëriti gjithashtu se çmimi i karburantit do të bjerë ndjeshëm pasi SHBA-ja ta fitojë luftën.
Presidenti amerikan foli edhe për marrëdhëniet tregtare me Kanadanë, duke thënë se një marrëveshje tregtare mes dy vendeve përfundimisht do të arrihet. Sipas Trump, kanadezët “vazhdojnë të telefonojnë” dhe duan një marrëveshje.
Ndërkohë, Trump njoftoi ndërtimin e një fabrike të madhe çeliku në Iowa nga kompania Mesabi Metallics. Ai tha se objekti do të jetë “më i madhi” në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Investimi kap vlerën e 18 miliardë dollarëve dhe fillimisht pritet të krijojë 6 mijë vende pune gjatë ndërtimit të uzinës. Në planin afatgjatë, fabrika pritet të krijojë edhe 2 mijë vende pune në këtë industri.
Trump, i cili po kritikohet për performancën e tij ekonomike vetëm disa javë para zgjedhjeve të mesit të mandatit për rinovimin e Kongresit, këmbënguli se ekonomia amerikane “nuk ka qenë kurrë në një gjendje më të mirë”.
Top Channel