AKTUALITET /

Tenderi 9.8 milionë euro i RTSH-së/ Oferta 1.2 milionë euro më e lirë u skualifikua, KPP ende pa vendim

Sa më shumë vonohet vendimi, aq më shumë shtohen dyshimet e operatorëve ankues mbi përfundimin e procedurës dhe mundësinë që në fuqi të mbetet shpallja fituese e ofertës më të lartë

Shkruar nga Versus

Tenderi 9.8 milionë euro i RTSH-së/ Oferta 1.2 milionë euro

Koha kalon, por vendimi për tenderin 9.8 milionë euro të Radiotelevizionit Shqiptar vazhdon të mungojë. Komisioni i Prokurimit Publik ende nuk është shprehur për ankesat që lidhen me procedurën për mirëmbajtjen e rrjetit kombëtar të transmetimit DVB-T2, ndërsa çdo ditë vonesë shton pikëpyetjet mbi fatin e një gare ku oferta rreth 1.2 milionë euro më e lirë u skualifikua dhe fitues u shpall operatori i vetëm i mbetur në garë, me një ofertë sa 99.1% e fondit limit.

Vonesa bëhet edhe më e rëndësishme përballë afateve të përcaktuara nga ligji. Për procedurat mbi kufirin e lartë monetar, Komisioni i Prokurimit Publik duhet të marrë vendim jo më vonë se 30 ditë pas marrjes së informacionit dhe dokumentacionit nga autoriteti kontraktor. Edhe kur KPP ka nevojë për ekspertizë nga palë të treta apo verifikime pranë institucioneve të tjera, ligji përcakton se palët duhet të vihen në dijeni dhe se afati për marrjen e vendimit nuk duhet të tejkalojë 30 ditë.

Pikërisht këtu lind një tjetër pyetje: çfarë pasojash juridike sjell tejkalimi i këtyre afateve dhe përse një procedurë me një diferencë kaq të madhe financiare mes ofertave vazhdon të mbahet pezull?

Sa më shumë vonohet vendimi, aq më shumë shtohen dyshimet e operatorëve ankues mbi përfundimin e procedurës dhe mundësinë që në fuqi të mbetet shpallja fituese e ofertës më të lartë. Por këtë nuk mund ta përcaktojnë dyshimet dhe as kalimi i kohës. Është KPP që duhet të japë përgjigje, duke shqyrtuar dokumentet dhe duke përcaktuar nëse skualifikimet e bëra nga RTSH kanë qenë apo jo në përputhje me ligjin.

Një tender 9.8 milionë euro dhe vetëm një ofertë e mbetur në garë

Bëhet fjalë për tenderin e Radiotelevizionit Shqiptar për mirëmbajtjen e rrjetit kombëtar të transmetimit DVB-T2, me fond limit 906.9 milionë lekë, ose rreth 9.8 milionë euro.

Në garë morën pjesë tre bashkime operatorësh, por dy prej tyre u skualifikuan dhe në fund mbeti vetëm bashkimi “IDEA-TEL” dhe “REAL COM”, i cili u shpall fitues me një ofertë sa 99.1% e fondit limit.

Tenderi 9.8 milionë euro i RTSH-së/ Oferta 1.2 milionë euro

Në qendër të çështjes mbetet pikërisht bashkimi i operatorëve “R&T” dhe “TBS 96”. Skualifikimi u lidh, ndër të tjera, me pretendimin e RTSH-së se një prej autorizimeve të paraqitura nga operatorët nuk ishte autentik.

Operatorët e kanë kundërshtuar këtë pretendim dhe kanë paraqitur si argument edhe konfirmimin e subjektit që kishte lëshuar dokumentin.

Procedura dhe përplasja me operatorët ndodhën në një moment kur në krye të Radiotelevizionit Shqiptar erdhi Eni Vasili. Pikërisht nën drejtimin e saj, RTSH ka vijuar me vendimmarrjen për tenderin milionësh, ndërsa institucioni tashmë përballet me ankimet e operatorëve të skualifikuar dhe me pikëpyetjet mbi mënyrën se si është administruar gara.

Mënyra se si u eliminua kjo ofertë, kriteret e përdorura nga RTSH dhe historia e kontratave të mirëmbajtjes së këtij rrjeti krijojnë disa pikëpyetje që kërkojnë përgjigje.

Philipp Stipek dhe pyetja që duhet të sqarojë KPP

Një element i ri shton pikëpyetjet mbi mënyrën se si RTSH ka administruar dokumentacionin e kompanive konkurruese dhe kërkon përgjigje nga Komisioni i Prokurimit Publik.

“R&T” dhe “TBS 96” kishin paraqitur, ndër të tjera, një autorizim nga distributori kinez “Xiamen General Electronic Measurement”. RTSH e konsideroi problematik këtë dokument dhe, gjatë verifikimeve, iu drejtua Rohde & Schwarz Österreich në Vjenë.

Tenderi 9.8 milionë euro i RTSH-së/ Oferta 1.2 milionë euro

Në këtë komunikim del në skenë Philipp Stipek.

Sipas dokumentacionit të administruar për procedurën, Stipek deklaroi se vetëm “IDEA-TEL”, që ishte edhe konkurrenti tjetër në garë, kishte autorizimin përkatës për territorin shqiptar.

Por sipas të dhënave të regjistrit tregtar austriak, EVI dhe North Data, Philipp Stipek, që nga 12 maji 2023, ishte regjistruar si Prokurist i Rohde & Schwarz Österreich.

Regjistri përcaktonte njëkohësisht edhe mënyrën e ushtrimit të kësaj kompetence. Stipek përfaqësonte kompaninë së bashku me një administrator ose me një Prokurist tjetër.

Pra, sipas mënyrës së regjistruar të përfaqësimit, prokura i jepte kompetenca të gjera përfaqësimi, por jo të drejtën për ta përfaqësuar individualisht kompaninë në bazë të këtij statusi.

Aktualisht, Stipek nuk figuron më ndër Prokuristët e kompanisë.

Pikërisht këtu lind një pyetje që deri më tani ka mbetur në hije: RTSH verifikoi se me çfarë kompetence ligjore Philipp Stipek e bëri këtë deklarim? A ishte vërtet Philipp Stipek përfaqësues i Rohde & Schwarz Österreich në Vjenë?

RTSH duket se e anashkaloi këtë aspekt, ndërsa tashmë ai duhet të jetë objekt shqyrtimi edhe për KPP-në: a kishte Philipp Stipek kompetencë të mjaftueshme për të deklaruar i vetëm, në emër të Rohde & Schwarz Österreich, se vetëm “IDEA-TEL” ishte e autorizuar për Shqipërinë?

Nëse po, mbi cilin dokument apo autorizim mbështetej kjo kompetencë?

KPP duhet të sqarojë se çfarë dokumenti apo komunikimi është përdorur nga RTSH, kush e ka nënshkruar atë, në çfarë cilësie është nënshkruar dhe nëse mënyra e përfaqësimit të kompanisë është respektuar.

A u verifikua me të njëjtin standard edhe fituesi?

Pyetjet nuk përfundojnë këtu.

Nëse RTSH ndërmori verifikime deri në atë pikë sa të vinte në diskutim dokumentacionin e “R&T” dhe “TBS 96”, a kreu të njëjtin kontroll edhe mbi dokumentacionin e bashkimit që shpalli fitues?

A u verifikua autorizimi i “IDEA-TEL”? Kush e kishte lëshuar dhe nënshkruar atë? A u kontrollua kompetenca e personit që e kishte lëshuar?

Dhe, mbi të gjitha, a u përdor i njëjti standard verifikimi për të dyja palët?

Kjo merr rëndësi sepse skualifikimi pati një pasojë financiare konkrete. Nga gara doli një ofertë rreth 1.2 milionë euro më e ulët, ndërsa fitues mbeti bashkimi “IDEA-TEL” dhe “REAL COM”, me një ofertë sa 99.1% e fondit limit.

Ka edhe një tjetër element që KPP duhet të marrë në shqyrtim.

Operatorët e skualifikuar, “R&T” dhe “TBS 96”, kishin paraqitur edhe një autorizim nga kompania gjermane “PLISCH”, ndërsa në materialet e administruara është ngritur pretendimi se ky dokument nuk iu nënshtrua të njëjtit proces verifikimi.

Nga ana tjetër, sipas dokumentacionit të operatorëve, kompania kineze që kishte lëshuar autorizimin e kontestuar konfirmoi më pas se dokumenti ishte autentik dhe se revokimi i mëvonshëm lidhej me juridiksionin territorial, jo me falsifikimin e tij.

Nëse kjo korrespondencë është pjesë e dokumentacionit të administruar, KPP duhet të përcaktojë peshën e saj përballë argumentit mbi të cilin RTSH mbështeti skualifikimin.

Kontratë 9.8 milionë euro, por vetëm 20 mijë euro mallra të zhdoganuara në tre vjet nga “Rohde & Schwarz”?

Një tjetër pikëpyetje që kërkon sqarim lidhet me kapacitetin e operatorit të shpallur fitues për të përballuar një kontratë të këtyre përmasave.

Sipas të dhënave të administruara për këtë çështje, “IDEA-TEL” rezulton se gjatë periudhës 2023–2025 ka zhdoganuar vetëm rreth 20 mijë euro mallra të lidhura me “Rohde & Schwarz”.

Përballë një kontrate mirëmbajtjeje me fond rreth 9.8 milionë euro dhe kohëzgjatje 48 muaj, kjo vlerë ngre pikëpyetje mbi peshën reale të këtij aktiviteti dhe mbi mënyrën se si është vlerësuar kapaciteti dhe autorizimi i operatorit në kuadër të procedurës.

Nëse autorizimi dhe kapaciteti i lidhur me prodhuesin kanë qenë elemente të rëndësishme në vlerësimin e ofertave, atëherë një tjetër pyetje që kërkon përgjigje është nëse të njëjtat kritere janë aplikuar në mënyrë të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit.

KLSH kishte paralajmëruar për kriterin e autorizimeve

Tenderi 9.8 milionë euro i RTSH-së/ Oferta 1.2 milionë euro

Mbi të gjitha qëndron edhe një paralajmërim i mëparshëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në auditimin e tenderit të vitit 2020 për mirëmbajtjen e të njëjtit rrjet, KLSH kishte ngritur pikërisht problemin e kërkesës për autorizime nga prodhuesit.

Sipas audituesve, kritere të tilla mund të orientonin operatorët drejt prodhuesve të caktuar, të kufizonin konkurrencën dhe të favorizonin subjektet që dispononin autorizimet e kërkuara.

Ky konstatim i mëparshëm e bën edhe më të rëndësishme mënyrën se si janë hartuar dhe zbatuar kriteret në tenderin aktual.

Për këtë arsye, KPP duhet të përcaktojë nëse RTSH ka përdorur të njëjtin standard për të gjithë konkurrentët, nëse ka verifikuar kompetencat e personave që dhanë informacion mbi dokumentacionin e operatorëve të skualifikuar, nëse kontrolloi me të njëjtën imtësi autorizimin e fituesit dhe nëse provohet pretendimi mbi të cilin u mbështet skualifikimi.

Çfarë po pret KPP?

Kjo është arsyeja pse vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik nuk është thjesht një formalitet.

Nga njëra anë qëndron oferta e shpallur fituese, pranë fondit limit. Nga ana tjetër, një ofertë rreth 1.2 milionë euro më e ulët, e cila u skualifikua nga gara.

Në një tender prej 9.8 milionë eurosh, ku mes dy ofertave ndahen rreth 1.2 milionë euro dhe ku skualifikimi lidhet me autenticitetin e dokumenteve dhe kompetencat e personave që kanë komunikuar në emër të kompanive të huaja, çdo ditë pa vendim shton nevojën për transparencë.

Çështja nuk është vetëm se cila ofertë do të mbetet në fuqi. Përpara vendimit, KPP duhet të përcaktojë nëse procesi është zhvilluar sipas rregullave dhe nëse dokumentacioni i të gjithë operatorëve është verifikuar me të njëjtin standard.

Sepse, nëse një autorizim u kontrollua deri në pikën që solli skualifikimin e ofertës 1.2 milionë euro më të lirë, a u kontrollua me të njëjtën imtësi edhe autorizimi mbi të cilin mbështetej operatori që fitoi tenderin?

A u verifikua kompetenca e personit që dha informacion për autorizimet? A u administruan dhe u vlerësuan konfirmimet e mëvonshme të kompanive që kishin lëshuar dokumentet? A u aplikuan të njëjtat kritere edhe për operatorin fitues?

Këto janë çështje që nuk mund të zgjidhen nga dyshimet, por vetëm nga dokumentet dhe arsyetimi i vendimit.

Përballë këtyre elementeve, zvarritja e vendimmarrjes nuk sjell më shumë qartësi, por shton nevojën për një vendim të argumentuar dhe transparent.

Pas muajsh pritjeje, ajo që kërkohet nga KPP është shqyrtimi i plotë i dokumentacionit dhe një vendimmarrje që të sqarojë nëse në tenderin 9.8 milionë euro të RTSH-së të gjithë operatorët janë trajtuar me të njëjtin standard dhe nëse skualifikimi i ofertës më të lirë është mbështetur në prova dhe procedura të vlefshme ligjërisht.

Poll