‘Zyra e Agasit si ‘Mekë’ e pushtetit’, Vangjeli: Aty parakaluan politikanë e gjyqtarë të Kushtetueses

22:18, 28/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në 'ÇIM PEKA LIVE' në Syri Tv, analisti Lorenc Vangjeli deklaroi se zyra e Agasit ishte kthyer në një pikë ku mblidheshin figura të politikës, drejtësisë, policisë dhe biznesit.

Vangjeli tha se aty kishin parakaluar anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë, prokurorë e gjyqtarë, si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit e biznesmenë.

Sipas tij, në këtë zyrë ndërthureshin interesa të ndryshme dhe në momente të caktuara ajo shërbente për të “zgjidhur probleme” për disa persona apo për të “krijuar probleme” për të tjerë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si funksiononte ky pushtet informal dhe mbi lidhjet mes politikës, drejtësisë, policisë dhe botës së biznesit.

Pjesë nga intervista:

Më mirë të flasim për gjërat që janë të njohura dhe pastaj të tentojmë nëpërmjet atyre të hedhim dritë mbi ato që janë dyshime. Një prej tyre që janë të njohura është që zyra e zotit Agasi ishte shndërruar në një lloj Meke në Tiranë, në të cilën kanë parakaluar, jo besimtarë, por mëkatarë kryesisht. Mes tyre ka pasur anëtarë të kabinetit qeveritar, që kanë qenë apo dhe aktualë. Ka qenë një listë mbresëlënëse deputetësh, nga ata të cilët aspirojnë të bëheshin të tillë, nga ata të cilët u bënë deputetë.

Njerëz shumë të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë. Përmende prokurorë të SPAK-ut apo gjyqtarë të GJKKO-së, por ka dhe prokurorë të tjerë, ka dhe gjyqtarë të tjerë, madje edhe në Gjykata Kushtetuese pra, citohen emra që kanë qenë atje. Drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, biznesmenë po të dy kategorive.

Shumë e rëndësishme kjo. Biznesmenë të cilët në një moment të caktuar në punën e tyre u duhej ndihma e armëve. Si dhe të tjerë të cilët kanë arritur në biznes, ndërkohë që zanat të parë kanë pasur armën. Pra banditë që janë shndërruar në biznesmenë.

Nuk e di nga vinte kjo, por unë di që ajo zyrë ishte shndërruar në një moment zgjidhte probleme për ata që donin, apo krijonte probleme për të tjerët, njësoj siç kemi mësuar në raste të tjera. Ky pushtet që në pamje të parë duket krejtësisht i pashpjegueshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco