Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Rolando Maran, dhe kapiteni Berat Gjimshiti kanë dalë në konferencën për media në prag të sfidës ndaj San Marinos, e cila do të zhvillohet të martën në “San Marino Stadium”, duke nisur nga ora 20:45.
Maran ka kërkuar përqendrim maksimal nga skuadra, duke theksuar se Shqipëria duhet ta marrë me seriozitet të plotë këtë përballje dhe të mos ndikohet nga diferenca në cilësi mes dy ekipeve.
“Duhet të përballemi me qasjen e duhur në ndeshje të tilla. Këto janë ndeshje që të ndihmojnë për të ndërtuar mentalitetin e një skuadre. Duhet ta marrim shumë seriozisht këtë ndeshje, me vëmendje dhe durim të veçantë”, deklaroi Maran.
Përzgjedhësi italian nënvizoi se Shqipëria ka respekt për kundërshtarin, por duhet të jetë e përgatitur për situatat që mund të krijohen gjatë takimit.
“Duhet të kemi identitet, por në varësi të situatave që do të krijohen mund të përdorim edhe vertikalizimet. Mund të funksionojnë të dyja gjërat. E rëndësishme është që të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme dhe të zbatojmë atë që kemi përgatitur në stërvitje”, shtoi ai.
Maran: Kam një ide për formacionin
Sa i përket formacionit, Maran bëri të ditur se ka krijuar një ide të qartë për 11-shen titullare, por vendimi përfundimtar do të merret pas vlerësimeve të fundit fizike.
“Praktikisht e kam një ide se kush do të jetë formacioni titullar. Jam i bindur që të gjithë lojtarët do të jenë të gatshëm për të bërë ndeshjen më të mirë të mundshme. Orët e fundit do të pres për të bërë edhe matjet e fundit nga aspekti fizik”, u shpreh ai.
Maran foli gjithashtu për menaxhimin e energjive, duke pasur parasysh serinë prej katër ndeshjesh.
“Mund të ketë ndryshime, por jo të fizionomisë së skuadrës. Është e rëndësishme që ne të rritemi në vlerë. Jam shumë i bindur që kushdo të luajë, do të jetë i motivuar për të bërë më të mirën. Të 28 lojtarët e grumbulluar kanë angazhimin maksimal me Kombëtaren”, deklaroi përzgjedhësi kuqezi.
Gjimshiti: San Marino nuk do të jetë ndeshje e lehtë
Në krahun tjetër, kapiteni Berat Gjimshiti kërkoi nga bashkëlojtarët të mos e konsiderojnë San Marinon si një kundërshtar të lehtë, duke insistuar në përqendrim të plotë gjatë gjithë 90 minutave.
“Përqendrimi duhet të jetë 100 për qind në çdo ndeshje, por edhe më shumë në këto ndeshje që të gjithë presin që Kombëtarja jonë të ketë kontrollin e lojës”, tha Gjimshiti.
“Shumica besojnë se do të jetë një ndeshje e thjeshtë, por nuk do të jetë aspak kështu. Varet nga ne, nëse do ta bëjmë të thjeshtë apo jo. Përqendrimi është 100 për qind”, shtoi kapiteni.
Gjimshiti theksoi se objektivi i Shqipërisë mbetet vendi i parë në grup, ndërsa për ta arritur këtë kërkoi angazhim maksimal nga i gjithë grupi.
“Synimet janë të forta. Duam vendin e parë dhe ajo që duhet të përmirësohet është i gjithë grupi, të luajmë bashkë dhe të japim gjithçka në fushë për 90 minuta. Në këtë nivel, nëse gabon, shumë shpejt ndryshon loja dhe duhet të jesh i fokusuar”, u shpreh mbrojtësi shqiptar.
Kapiteni kuqezi veçoi edhe sulmuesin e San Marinos, Nanni, me të cilin është përballur në Itali, duke paralajmëruar skuadrën për rrezikun që mund të vijë nga kundërshtari.
“E njoh sulmuesin Nanni, kam luajtur kundër tij. Është fizikisht i madh, pothuajse 1.90 metra si unë, dhe e mban shumë mirë topin. Kanë cilësi dhe duhet të jesh 100 për qind i fokusuar, sepse mund të ndodhë gjithçka në futboll”, përfundoi Gjimshiti.
Shqipëria synon ta vazhdojë me fitore rrugëtimin në grup, ndërsa sfida ndaj San Marinos vjen në një seri të ngjeshur ndeshjesh, ku kuqezinjtë kërkojnë të ruajnë ritmin dhe të luftojnë për kreun e grupit.


