Deklarata e votuar nga 99 deputetë shpreh shqetësimin ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në deklaratë vlerësohet i papranueshëm konstatimin i Dhomave të Specializuara për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal, ndërsa në njërën nga shtatë pikat e saj bëhet edhe thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike. Deklarata si kjo e së hënës nuk prodhon efekte juridike të detyrueshme
Kuvendi i Kosovës me 99 vota e ka miratuar Deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Deklarata mes tjerash e konsideron të papranueshëm konstatimi për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal nga të katër të dënuarit nga shkalla e parë. Teksti gjithashtu kërkon që Gjykata Speciale të mos dalë nga mandati i saj dhe konstaton që ka ekzistuar Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, e zbatuar përmes aparatit shtetëror, ushtarak dhe policorë jugosllav e serb.
Deklaratën shtatëpikëshe, ku është përfshirë edhe një kërkesë për institucionet shtetërore e lexoi para deputetëve, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Kërkon nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës”, thuhet në deklaratën e lexuar nga Haxhiu.
Seanca ka nisur me një orë vonesë. Dhe ishte Haxhiu që foli për arsyet e vonesës dhe për procesin që ka quar në dakordimin e subjekteve politike.
Edhe
Kuvendi miraton deklaratën për aktgjykimin e Speciales
“Gjatë këtyre ditëve ka pasur takime të vazhdueshme në mes të përfaqësuesve të Grupeve Parlamentare, sidomos sot, prandaj edhe këtë seancë e kemi nisur me vonesë. Prandaj ne tashmë kemi një draft të dakorduar nga të gjitha Grupet Parlamentare - Lëvizja Vetëvendosje, PDK-ja, LDK-ja dhe Grupi Multietnik”, ka thënë Haxhiu.
Deklarata e cila nuk prodhon efekte juridike të detyrueshme mori votat e 99 deputetëve. Në seancën munguan ligjvënësit e Listës Serbe.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë se e vlerëson përfshirjen e të gjitha komenteve të partive politike në deklaratë.
“Dëshirojmë të kontribuojmë që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe me liri. Të funksionojë në institucionet e saj të pavarura. Është e rëndësishme që të jemi në ballë të detyrës”, ka thënë ajo.
Për ndryshim-plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga PDK-ja, ajo ka thënë se duhen shikuar të gjitha procedurat ligjore.
E Partia Demokratike e Kosovës, e cila kishte sponzorizuar këtë deklaratë, e ka përshëndetur miratimin e saj në Kuvend. Përmes një deklarate për media, PDK-ja ka falënderuar grupet parlamentare, derisa ka deklaruar se radha është e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të cilin e kanë propozuar javën e kaluar.
“Kërkojmë nga Qeveria që ta procedojë pa vonesë në Kuvend dhe nga të gjitha grupet parlamentare që ta trajtojnë e votojnë me urgjencë”, thuhet në deklaratë e kësaj partie.
Në dokumentin për ndryshimet e propozuara në Ligjin për Specialen që është dërguar në Qeveri nga PDK-ja, argumentohet nevoja e ndërhyrjeve në ligj pas vendimit të 16 shtatorit ku UÇK-ja u kualifikua si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Sipas dokumentit, Gjykata Speciale u themelua me mendimin se një trup gjykues do të trajtonte pretendimet specifike të përgjegjësisë penale individuale.
Në propozimin e PDK-së kërkohet që të ngushtohet mandati ligjor i Gjykatës Speciale vetëm në veprat penale të përcaktuara në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 7 janarit 2011. Po ashtu, kërkohet që të ndryshohet edhe neni që ka të bëjë me dënimet maksimale, duke e kufizuar në 15 vjet burgim. Vuajtja e dënimeve, sipas ndryshimeve, kërkohet që të bëhet në institucionet korrektuese të Kosovës, ndërsa që personat e dënuar nga Gjykata Speciale me vendim të formës së prerë të kenë mundësinë të jenë subjekt i faljes nga presidenti i Kosovës.
Edhe
PDK-ja përshëndet miratimin e Deklaratës: Të votohen edhe plotësim-ndryshimet e Ligjit për Specialen
Një prej ndryshimeve që kërkohet të bëhet në ligj është edhe koha e hetimeve që mbulon Gjykata Speciale. Në të kërkohet që të jetë nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000 – teksa në ligjin aktual periudha e hetimeve të krimeve të pretenduara të kryera nga ish-anëtarët e UÇK-së është nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.
Po ashtu, kërkohen ndryshimet edhe sa i përket juridiksionit territorial, duke e kufizuar në veprat që mund të jenë kryer brenda territorit të Kosovës. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka hetuar dhe për krime që pretendohet se janë kryer edhe në veri të Shqipërisë.
Po ashtu kërkohet që gjykimet e pushuara dhe aktakuzat e konfirmuara të transferohen në Departamentin Special të Gjykatës Themelore, të Apelit dhe Supremes në Prishtinë, ndërkaq hetimet dhe dosjet paraprake të transferohen në Prokurorinë Speciale të Kosovës në Prishtinë.
Dhomat e Specializuara në Hagë, me nga 25 vjet burgim i dënuan ish-presidentin e Kosovës e liderin e PDK-së, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi. Me 18 vjet burgim u dënua ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ndërsa me 13 vjet ish-shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi. Të katër të dënuarit, që mbanin poste drejtuese në UÇK, janë akuzuar për krime lufte në vitet 1998-99, ndërsa e liruan atë nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Aktgjykimi i 16 shtatorit nuk është i formës së prerë dhe mund të apelohet.
Në seancën e së hënës përpos deklaratës, pati edhe tri pika të tjera të rendit të ditës.
U miratuan procesverbalet nga seancat konstituive, u betuan deputetët e rinj që morën ulëset, pasi ato u liruan nga kolegët e tyre që u përfshinë në ekzekutiv, dhe u formuan komisionet parlamentare.
Gjithashtu u votua edhe Vlora Çitaku si nënkryetare e kuvendit. Nënkryetari i propozuar nga PDK-ja ishte i vetmi që nuk ishte zgjedhur në seancën e kaluar. Kjo pasi PDK-ja i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlerësim nëse konstituimi i Kuvendit pas afateve ishte i ligjshëm.
Javën e kaluar Kushtetuesja vlerësoi se Kuvendi është i konstituuar e po ashtu kushtetues ajo e vlerësoi edhe formimin e Qeverisë së re.
Betohen deputetët e rinj
Në seancën e mbajtur të hënën Kuvendi gjithashtu ka formuar 16 komisione parlamentare dhe janë betuar deputetët e rinj, që në të vërtetë janë “zëvendësim” i deputetëve që janë bërë pjesë e kabinetit të Qeverisë Kurti.
Edhe
Teksti i plotë i Deklaratës së Kuvendit të Kosovës për vendimin e Speciales
Deputetët e betuar janë:
Naim Bardiqi zëvendëson Albin Kurtin
Fitim Haziri zëvendëson Glauk Konjufcën
Ilir Qeriqi zëvendëson Hekuran Muratin
Egzon Azemi zëvendëson Donika Gërvallën
Mimoza Shala zëvendëson Xhelal Sveçlën
Arsim Ademi zëvendëson Ejup Maqedoncin
Luan Aliu zëvendëson Hajrullah Çekun
Fatos Geci zëvendëson Mimoza Kusari-Lila
Adelina Tërshana zëvendëson Andin Hotin
Ejup Ahmeti zëvendëson Arben Vitinë
Filiz Mustafa zëvendëson Saranda Bogujevcin
Arjeta Rexhepi zëvendëson Armend Mujën
Fahrush Rexhepi zëvendëson Artane Rizvanollin
Elvira Ibrahimi -Hoti zëvendëson Dimal Bashën
Bylbyl Sokoli zëvendëson Agon Batushën
Ergyl Mazrek zëvendëson Fikrim Damkën
Fridon Lala zëvendëson Elbert Krasniqin
Lazar Raduloviq zëvendëson Nenad Rashiqin
Bahrim Shabani zëvendëson Rasim Demirin