web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Sot, San Marino-Shqipëri. Kuqezinjtë duan fitoren e dytë radhazi

29 Shtator 2026, 07:52, Sport CNA

Sot, San Marino-Shqipëri. Kuqezinjtë duan fitoren e dytë radhazi

Shqipëria luan këtë të martë ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve, me kuqezinjtë që përballen me San Marinon në transfertë. Pas fitores 2-0 ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e parë, skuadra e Rolando Maranit kërkon një tjetër rezultat pozitiv për t’iu afruar objektivit të vendit të parë në grup.

Sfida do të zhvillohet në stadiumin “San Marino”, që ka një kapacitet prej rreth 5 mijë vendesh. Interesi nga tifozët shqiptarë ka qenë i lartë, pasi janë shitur të gjitha biletat në dispozicion. Përveç këtyre vendeve, nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe tifozë të tjerë shqiptarë në tribunat e rezervuara për vendasit.

Për Shqipërinë, përballja me San Marinon vjen pas fitores së regjistruar në ndeshjen e parë të kësaj fushate. Kuqezinjtë fituan 2-0 ndaj Bjellorusisë, me Kristjan Asllanin që shënoi nga pika e bardhë në minutën e 34-t dhe Ernest Muçin që dyfishoi shifrat në fundin e pjesës së parë. Tashmë, skuadra e Maranit kërkon të ruajë ritmin në ndeshjen e dytë.

Bilanci i Shqipërisë ndaj San Marinos është pozitiv. Dy skuadrat janë përballur katër herë dhe në të katër rastet fitorja ka shkuar për kuqezinjtë.

Në këtë sfidë, roli i arbitrit do t’i besohet hungarezit Mihali Kaprali. Ai nuk është një emër i panjohur për Kombëtaren shqiptare, pasi në të kaluarën ka gjykuar edhe një ndeshje të kuqezinjve. Bëhet fjalë për miqësoren ndaj Azerbajxhanit, të fituar nga Shqipëria me rezultatin 3-1.

Ndeshja me San Marinon do të luhet këtë të martë në orën 20:45. Për Rolando Maranin, sfida është pjesë e një kalendari të ngjeshur, pasi vetëm pak ditë më vonë Shqipëria do të ketë një tjetër transfertë.

Të shtunën, kuqezinjtë do të përballen me Finlandën, në një ndeshje që do të luhet në orën 15:00. Për këtë arsye, përveç objektivit për pikët ndaj San Marinos, stafi teknik duhet të menaxhojë edhe ngarkesën e lojtarëve në dy ndeshje të afërta.





Lajmet e fundit nga