Një skandal ka shpërthyer në sistemin shëndetësor grek, ku autoritetet kanë vënë në pikëpyetje veprimtarinë e një klinike private në Greqinë Veriore, pas zbulimit se një departament onkologjie funksiononte pa licencën e nevojshme dhe se pacientëve me diagnoza që nuk përfshinin tumore malinje u ishin administruar barna kimioterapie.
Sipas asaj që mediat vendase raportojnë dhe bazuar në gjetjet zyrtare të Autoritetit Kombëtar të Transparencës së Greqisë, bëhet fjalë për një klinikë në Selanik, ndaj së cilës është rekomanduar mbyllja e përhershme dhe revokimi i licencës së funksionimit.
Inspektimi i autoriteteve nisi pas një ankese dhe nxori në pah një sërë shkeljesh që lidhen me funksionimin e departamentit onkologjik, personelin mjekësor dhe mënyrën e deklarimit të shërbimeve ndaj Organizatës Kombëtare për Ofrimin e Shërbimeve Shëndetësore, EOPYY.
Sipas Autoritetit Kombëtar të Transparencës, klinika kishte krijuar dhe funksionalizuar një departament onkologjie, megjithëse licenca e saj aktuale e operimit nuk përfshinte një strukturë të tillë.
Autoriteti thonë se në faqen e internetit të klinikës ishte publikuar edhe një video ku paraqitej departamenti onkologjik dhe pajisjet e përdorura për trajtimin e barnave citostatike dhe kimioterapeutike, përfshirë një dhomë të posaçme të sigurisë biologjike.
Problemi, sipas gjetjeve të kontrollit, ishte se ky departament nuk dispononte licencimin e nevojshëm ligjor.
Situata bëhet edhe më serioze nga të dhënat për pacientët që trajtoheshin në këtë strukturë.
Autoriteti Kombëtar i Transparencës raporton se një numër pacientësh u shtruan në klinikë me diagnoza që nuk kishin të bënin me tumore malinje, ndërsa gjatë qëndrimit të tyre në spital iu administruan barna specifike kimioterapie.
Sipas autoritetit, këto raste përbëjnë tregues të mundshëm të paraqitjes së të dhënave të pasakta pranë EOPYY-së, me qëllim kompensimin e shtrimeve spitalore.
Mjeku që drejtonte departamentin
Në qendër të hetimit është edhe një mjek privat, pulmonolog i specializuar në onkologjinë e mushkërive, nën përgjegjësinë e të cilit funksiononte departamenti.
Sipas gjetjeve të Autoritetit Kombëtar të Transparencës, mjeku përshkruante barna kimioterapie nga zyra që kishte në klinikë dhe më pas merrte përsipër administrimin e tyre në departamentin onkologjik. Përgatitja e barnave, sipas raportit, kryhej nga personeli i klinikës.
Nga hetimet konsiderohet se mjeku wshtw bashkëpërgjegjës për funksionimin e paligjshëm të departamentit, duke vënë në dukje se struktura nuk ishte e parashikuar në licencën e klinikës dhe se mjeku nuk kishte lidhur një kontratë të shkruar me institucionin që të përcaktonte kushtet e bashkëpunimit.
Auditorët kanë shqyrtuar edhe rastet e disa pacientëve të këtij mjeku. Sipas raportit, ata ishin shtruar për disa ditë në klinikë me diagnoza që nuk lidhen me kancerin, ndërsa gjatë qëndrimit u ishin administruar barna kimioterapie.
Autoriteti i Transparencës i ka konsideruar këto raste si elemente që kërkojnë verifikim të mëtejshëm lidhur me saktësinë e të dhënave të paraqitura për rimbursim.
Mungesë personeli dhe pa njësi të kujdesit intensiv
Kontrolli nuk u kufizua vetëm te departamenti onkologjik. Në raportin e tij, Autoriteti Kombëtar i Transparencës konstaton se klinika nuk kishte të punësuar në mënyrën e kërkuar mjekët që drejtonin departamentet shkencore dhe se nuk kishte kontrata të shkruara me një pjesë të mjekëve që ofronin shërbime në klinikë.
jithashtu, sipas raportit, numri i personelit nuk ishte i mjaftueshëm dhe mungonin profesionistë të disa specialiteteve të kërkuara, mes tyre edhe radiologë.
Një tjetër problem i evidentuar ishte mungesa e një Njësie të Kujdesit Intensiv, e cila, sipas autoritetit, ishte e detyrueshme duke pasur parasysh kapacitetin e përcaktuar në licencën e themelimit dhe funksionimit të klinikës.
Vendimi për mbylljen e klinikës
Pas gjetjeve të kontrollit, Autoriteti Kombëtar i Transparencës rekomandoi ndërprerjen e hershme të aktivitetit dhe heqjen e licencës së klinikës.
Vendimi për mbylljen është nënshkruar më 28 shtator nga zëvendësguvernatori i Selanikut, Kostas Gioutikas, ndërsa zbatimi i tij pritet të kryhet përmes një përmbaruesi. Klinika ndodhet në një nga rrugët qendrore të pjesës lindore të Selanikut.
