Plani i Konservimit dhe Gërmimeve Arkeologjike ka hyrë në zbatim në Amfiteatrin e Durrësit duke shënuar një etapë të re për ruajtjen dhe studimin e këtij siti.

Lajmin e ka dhënë ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore duke theksuar vijimësinë e punës për të mbrojtur dhe përcjellë këtë pasuri, 6 dekada pasi zbulimit.

Amfiteatri tërheq edhe vizitorë, pasi në vetëm 8 muaj (janar-gusht), është vizituar nga 28,823 persona, rritje me 16.3% krahasuar me vitin e kaluar.

Postimi i plotë:

“Në 60-vjetorin e zbulimit, Amfiteatri Antik i Durrësit hyn në një etapë të re ruajtjeje dhe studimi. Ka nisur zbatimi i Planit të Konservimit dhe Gërmimeve Arkeologjike, investim i Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ndërsa vijojnë kërkimet e projektit italo-shqiptar “Durrësi Mesjetar – Amfiteatri”, që prej vitit 2018 sjell të dhëna të reja për historinë e monumentit. Interesi i vizitorëve po rritet: nga janari në gusht 2026, Amfiteatrin e vizituan 28,823 persona, rreth 16.3% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjashtë dekada pas zbulimit, puna për ta njohur, mbrojtur dhe përcjellë këtë pasuri te brezat e ardhshëm vazhdon”, shkruan Gonxhja.