
Presidenti i Argjentinës ka kërcënuar se do të nisë një proces gjyqësor kundër qeverisë britanike, nëse ajo nuk ndalon aktivitetet e kërkimit për naftë në brigjet e Ishujve Falkland.
Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Javier Milei i dha një afat prej dy javësh projektit të fushës së naftës Sea Lion, një sipërmarrje e përbashkët mes kompanive izraelite dhe britanike, për t’u pezulluar.
Kompanitë këmbëngulin se disponojnë licenca të vlefshme të lëshuara nga Britania e Madhe.
Deklaratat rrisin tensionet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Argjentinës për sovranitetin e arkipelagut, i njohur në Argjentinë si Las Malvinas, më shumë se 40 vjet pasi një forcë ushtarake britanike dëboi trupat argjentinase që kishin pushtuar territorin në vitin 1982.
Milei tha se, nëse afati prej dy javësh nuk respektohet, ai ka “udhëzuar Ministrinë e Jashtme dhe ekipet ligjore të nisin arbitrazhin ndërkombëtar” kundër Britanisë së Madhe për atë që ai e cilësoi si “grabitje të paligjshme të burimeve tona përmes Projektit Sea Lion”.
Ai vijoi duke paralajmëruar Britaninë e Madhe se, nëse “shfrytëzimi i paligjshëm” i rajonit nuk ndalet brenda dy javësh, Argjentina do ta çojë çështjen përpara Tribunalit Ndërkombëtar për të Drejtën e Detit.
Tribunali Ndërkombëtar është një organ i pavarur gjyqësor me seli në Hamburg, përgjegjës për zbatimin e drejtë të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit.
Ky zhvillim vjen pak pasi Milei kritikoi ashpër OKB-në në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, për dështimin për të ndërmarrë veprime lidhur me sovranitetin e Ishujve Falkland. (A2 Televizion)