Lëvizte me makinë në tortuar dhe videon e publikoi në Tik Tok, 60 mijë lekë gjobë shoferit dhe heqje e lejës së qarkullimit

Policia e Beratit ka gjobitur me gjobë 60 mijë lekë të reja dhe i ka hequr lejen e qarkullimit një shoferi.
Kjo masë erdhi pasi shoferi lëvizte me makinë në tortuar në qytetin e Beratit dhe videon e publikoi në Tik Tok.
Njoftimi i policisë:
Pas publikimit në rrjetin social “TikTok”, të një videoje në të cilën shfaqej një automjet që lëvizte në trotuar, në një rrugë në qytetin e Beratit, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Berat kryen veprimet hetimore për identifikimin e drejtuesit të automjetit.
Në përfundim të veprimeve, u identifikua drejtuesi i automjetit, shtetasi I. L., i cili u shoqërua në Komisariat, ku u kryen veprimet e mëtejshme procedurale.
Në përfundim, shtetasi I. L. u ndëshkua me masë administrative 60 000 lekë, si dhe iu tërhoq leja e qarkullimit, pasi nga kontrolli i dokumentacionit të automjetit, rezultoi pa kontroll teknik dhe pa siguracion.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat falënderon qytetarët për kontributin e tyre në evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe i fton ata të vijojnë të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë, në numrin 112.




