Investimet në arsim duhet të jenë reale dhe t’u përgjigjen kërkesave të të rinjve për pagë dinjitoze dhe të ardhme më të mirë që ata të zgjedhin të qëndrojnë në Shqipëri, thotë Partia e Lirisë.
Deputetja Erisa Xhixho ka sjellë në vëmendje vlerësimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar se Shqipëria ka nivel të ulët në rajon për diplomimet në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.
Sipas Xhixhos, rezultatet e PISA-s në matematikë treguan mungesën e aftësive analitike te nxënësit shqiptarë dhe hapat pas të Shqipërisë për të prodhuar profesionistë të teknologjisë.
Postimi i plotë:
Arsimi në emergjencë kombëtare!
FMN ngre alarmin: Shqipëria po mbetet pa profesionistët që do të ndërtojnë ekonominë e së ardhmes.
Shqipëria ka nivelin më të ulët në rajon për diplomimet në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.
Alarmi i ngritur nga FMN-ja është ngritur me kohë prej nesh.
Rezultatet e PISA-s në matematikë treguan dështimin e sistemit tonë arsimor dhe mungesën e aftësive bazë analitike te nxënësit shqiptarë.
Në një kohë kur ekonomia botërore po ecën drejt teknologjisë, inovacionit dhe automatizimit, Shqipëria po prodhon shumë pak inxhinierë, programues, shkencëtarë dhe profesionistë të teknologjisë.
Dhe kur një i ri nuk sheh mundësi për një punë të mirë, pagë dinjitoze dhe një të ardhme të sigurt, zgjedhja për t’u larguar nga vendi bëhet gjithnjë e më e fortë.
Nuk mund të flasim për Shqipëri europiane kur analfabetizmi funksional vetëm rritet dhe të rinjtë largohen sepse nuk shohin të ardhme këtu.
Arsimi kërkon investim real, modernizim të kurrikulave, forcim të arsimit profesional, mbështetje për STEM-in, lidhje mes universiteteve dhe tregut të punës dhe mbi të gjitha, politika që u jep të rinjve arsye për të qëndruar dhe jo për të ikur.
Të ardhmen e Shqipërisë nuk e ndërtojnë kullat, betonieret, pastrimi parave. E ndërtojnë të rinjtë e arsimuar, profesionistët dhe shkencëtarët që zgjedhin të jetojnë e të punojnë këtu. Dhe nëse vazhdojmë t’i humbasim ata, humbasim pikërisht kapitalin më të çmuar të këtij vendi.









Komente
Komento