Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka hapur derën për një rritje të konsiderueshme të fondeve për 211 federatat anëtare të organizatës botërore.
Këshilli i FIFA-s pritet ta shqyrtojë këtë çështje në mbledhjen e 15 tetorit.
Në një letër drejtuar presidentëve të gjashtë konfederatave kontinentale, Infantino ka deklaruar se do të mbështesë nivelin më të lartë të financimit shtesë që mund të ofrohet në mënyrë të përgjegjshme.
Megjithatë, ai ka sqaruar se asnjë prej shumave të diskutuara deri tani nuk përbën një angazhim të miratuar.
Më 18 shtator, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, dhe ai i CONCACAF-ut, Victor Montagliani, propozuan që secila federatë të përfitonte 10 milionë dollarë gjatë ciklit 2027-2030.
Infantino ka sinjalizuar se do ta mbështeste një financim të tillë, nëse miratohet përmes procedurave përkatëse të FIFA-s.
Sipas tij, fondet shtesë do të mundësonin investime më të mëdha në zhvillimin e futbollit.
Presidenti i FIFA-s rikujtoi edhe propozimin e tërhequr për shitjen e një pjese të të drejtave komerciale të Kupës së Botës.
Ky plan kishte për qëllim krijimin e të ardhurave shtesë për investime në futboll.
Ndërkohë, FIFA ka konfirmuar se Infantino do të kandidojë për një mandat tjetër në zgjedhjet presidenciale të marsit të ardhshëm.
Pavarësisht kritikave ndaj disa prej planeve të tij, ai vazhdon të ketë mbështetje nga aktorë të rëndësishëm të futbollit ndërkombëtar.
Arabia Saudite, vendi organizator i Kupës së Botës 2034, ka shprehur mbështetjen për të, ndërsa në favor të kandidaturës së tij janë pozicionuar edhe CAF dhe CONMEBOL.












