Sektori i blegtorisë po përballet me vështirësi për shkak të kostove të larta të prodhimit dhe subvencioneve që blegtorët i konsiderojnë të pamjaftueshme. Përfaqësues të sektorit i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të Bujqësisë dhe Financave, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme. Ata kujtojnë dakordësimin e prillit për trajtimin e problemeve në shtator dhe paralajmërojnë rikthimin e protestave nëse kërkesat nuk plotësohen.
Në letrën drejtuar institucioneve, blegtorët rendisin 7 kërkesa konkrete:
1) krijimin e një laboratori shtetëror për analizat e qumështit;
2) uljen e çmimit të naftës përmes heqjes së akcizës dhe taksave;
3) vendosjen e tarifave për vajin e palmës, qumështin pluhur dhe hirrën;
4) rishikimin dhe rritjen e subvencioneve për blegtorët;
5) etiketimin e produkteve duke treguar origjinën e qumështit të përdorur;
6) kalimin e fondeve të parealizuara të skemës së kompensimit 10% të TVSH-së në subvencione për blegtorët;
7) forcimin e kontrolleve në kufi për qumështin e importuar, për aflatoksinën, proteinën, yndyrën dhe ngarkesën mikrobiologjike.
Blegtorët thonë se situata në sektor është bërë emergjente dhe se kostot e larta po vështirësojnë mbijetesën e fermave. Ata kërkojnë një takim sa më shpejt me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Financave, duke paralajmëruar se nëse nuk merren masa konkrete, mund të rikthehen protestat.