Skuadra kuqezi U-21 ka nisur grumbullimin në Tiranë për përgatitjet e miqësores kundër Ukrainës, e programuar të zhvillohet më 5 tetor në stadiumin “Szentmarjay Tibor Varosi Stadion”, në Eger të Hungarisë, duke nisur nga ora 15:30.
Të lidhura
None found
Seanca e parë stërvitore u zhvillua pasditen e djeshme në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Ekipi punoi nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi dhe stafit të tij teknik.
FSHF njofton përmes Departamentit të Komunikimit se Elton Fikaj nuk do të mund të luajë me Kombëtaren U-21 në këtë përballje, për shkak të një dëmtimi.
Për të plotësuar grupin, në ekipin U-21 është afruar Endrit Asani, i cili më parë ishte grumbulluar me Kombëtaren U-19.
Ndryshim ka edhe te Kombëtarja U-19, ku trajneri Fatjon Tafaj ka ftuar Petro Markun, futbollistin e Bylisit.
Ndërkohë, pjesë e grumbullimit të Kombëtares U-21 është bërë edhe portieri Simon Simoni.
Përfaqësuesja U-21 do të vazhdojë stërvitjet në Tiranë, ndërsa nisjen drejt Hungarisë e ka planifikuar më 3 tetor, për sfidën miqësore ndaj Ukrainës U-21.
