Nafta Brent kalon 107 dollarë për fuçi, tensionet SHBA–Iran mbajnë tregjet në ankth

Çmimi i naftës Brent është rritur mbi 107 dollarë për fuçi, ndërsa pasiguria rreth negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vazhdon të ndikojë tregjet e energjisë.
Brent u rrit të martën me 1.6%, edhe pse Arabia Saudite ka rifilluar operimin e tubacionit East-West, i cili ishte dëmtuar nga sulmet.
Ky tubacion i lejon Riadit të transportojë naftë drejt Detit të Kuq, duke shmangur ngushticën e Hormuzit. Kapaciteti i rrjedhës është rikthyer në rreth 3.5 milionë fuçi në ditë.

Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar për të larguar shqetësimet mbi furnizimin global. Në qendër të vëmendjes mbeten negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit dhe mundësia e një marrëveshjeje që do të ulte tensionet dhe do të hapte gradualisht ngushticën e Hormuzit.
Kontaktet e fundit në Nju Jork nuk kanë sjellë deri tani një marrëveshje. Donald Trump ka refuzuar propozimin e fundit iranian, i cili përfshinte, ndër të tjera, rihapjen e Hormuzit dhe rifillimin e negociatave për programin bërthamor, me disa kushte.
Ndërkohë, raportime të fundit kanë bërë të ditur se pala amerikane po shqyrtonte mundësinë e lehtësimit të sanksioneve dhe zhbllokimit të fondeve iraniane në rast të përparimit të rëndësishëm në çështjen bërthamore.
Trump, megjithatë, deklaroi më 28 shtator se nuk i kishte ofruar Iranit as lehtësim të sanksioneve dhe as zhbllokim të fondeve të ngrira.




