Një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Itali, në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”.
Policia e Shtetit njofton se në Bolzano është arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi Vanxhel Balla, 28 vjeç, lindur në Dibër, i dënuar me 12 vite burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Balla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër e kishte dënuar në vitin 2020 me 12 vite burg. Sipas autoriteteve, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 9 vite burg.
Nga hetimet dhe vendimi gjyqësor rezulton se Vanxhel Balla, së bashku me vëllain e tij, shtetasin A. B., pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës, thikë, shtetasin A. Z., alias I. Z.
Arrestimi u realizua në Bolzano, në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e 28-vjeçarit drejt Shqipërisë, ku ai do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.
Lini një Përgjigje