Të mërkurën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nis turin ballkanik. Ndalesa e saj e parë do të jetë Tirana ku do të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.
Më 1 tetor, presidentja vijon me takimet në Kosovë me presidenten në detyrë, Albulena Haxhiun dhe kryeministrin Albin Kurti. Në të njëjtën ditë, vizita do të vazhdojë edhe në Malin e Zi me presidentin Jakov Milatović dhe kryeministrin Milojko Spajić.
Përmbyllja e turneut do të jetë të premten ku në Maqedoninë e Veriut, Von der Leyen do të takojë presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.
Në këtë turne, Von der Leyen nuk do të vizitojë Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Sipas njoftimit, këto dy vende janë lënë jashtë itinerarit për shkak të zgjedhjeve të ardhshme që do të zhvillohen atje.
Presidentja e KE vjen edhe me një plan për një udhërrëfyes të posaçëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainë që do t’i ndihmojë ato në rrugën e anëtarësimit.
Plani parashikon reforma prioritare, afate orientuese dhe objektiva për përfundimin e fazave të negociatave. Në këmbim, edhe vendet anëtare të BE-së do të kenë angazhime për të avancuar procesin. Vendimet kyçe kërkojnë miratimin unanim të vendeve anëtare.
BE-ja po shqyrton një model të integrimit gradual të vendeve kandidate. Vendimtare janë edhe datat e 6 tetorit, kur pritet të paraqitet rishikimi i politikës së para-anëtarësimit, dhe 15-16 tetori, kur liderët e Unionit do të diskutojnë zgjerimin dhe reformat e brendshme.


