Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari, ka reaguar sërish për zhvillimet e fundit në vend, këtë herë lidhur me situatën në Shërbimin Informativ të Shtetit dhe masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së këtij institucioni, Vlora Hyseni.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kokalari ngre dyshime nëse pas kësaj situate mund të qëndrojë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, duke e lidhur çështjen me vizitën e tij të fundit në Shtetet e Bashkuara dhe takimin që sipas saj ai pati me prokurorin e përgjithshëm Todd Blanche.
Kokalari ngre pyetjen se çfarë është diskutuar gjatë këtij takimi dhe nëse tema e bisedës mund të ketë pasur lidhje me çështje të sigurisë kombëtare amerikane apo me aktivitetin e SHISH në Shqipëri.
“Çfarë i tha Berisha Todd Blanche atë ditë? Cila ishte tema me interes të veçantë për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, për të cilën Berisha paska dijeni?”, pyet Kokalari, duke lënë të hapur edhe mundësinë që çështja të ketë lidhje me drejtimin e SHISH-it.
Postimi i plotë:
Më falni, por për këtë kryetaren e SHIK-ut që arrestuan, a e keni marrë parasysh se mund të jetë bëma e Sali Berishës, të cilit hyrja në SHBA iu lejua me pretekstin se i shërben “national security”?
Në fakt, ai pati një takim në një kafe me Todd Blanche dhe ky takim mund të ketë justifikuar të gjithë udhëtimin e tij, pavarësisht se si e shet në Shqipëri... Çfarë i tha Berisha Todd Blanche atë ditë? Cila ishte tema 'me interes të veçantë për sigurinë e Shteteve të Bashkuara', për të cilën Berisha paska dijeni? A kishte të bënte me kreun e SHIK-ut në Shqipëri?
S’e di si e shikoni, por kjo punë vjen pak erë... Jo se SPAK mund të mos ketë pasur arsye të mjaftueshme për ta vënë në arrest shtëpie, por as pisllëku i Berishës në SHBA, pikërisht kundër SHIK-ut të Ramës, nuk më duket aspak çudi...
Për më tepër, askush s’e ka shfrytëzuar SHIK-un më agresivisht se vetë Berisha dhe nëse Berisha ka denoncuar ne SHBA një institucion si SHIK-u për interesat e tij personale, atëherë ky është maskarrallëk dhe tradhëti kombëtrare.
Kështu që, nëse Berisha e ka denoncuar në SHBA kreun e SHIK ut, uroj të ketë pasur arsye vërtet të forta për të shkuar deri atje. Përndryshe, qeveria shqiptare duhet të marrë masa ndaj Berishës...
Dhe sërish, nuk e di çfarë ka denoncuar Berisha në SHBA. Besoj se diçka ka denoncuar, sepse ndryshe lobistët e Continental nuk do ta justifikonin dot lejimin e hyrjes së tij VETËM NJË HERË. Por çfarë ishte kaq e rëndësishme për sigurinë kombëtare amerikane që Berisha e di, por nuk ia thotë popullit apo Parlamentit?
