FIFA akuzon UEFA-n: Po dezinformoni për Infantinon
Përplasja mes FIFA-s dhe UEFA-s ka marrë një tjetër drejtim, këtë herë në një gjykatë në Florida. Në një letër drejtuar drejtësisë amerikane, FIFA akuzon UEFA-n se ka orkestruar një “fushatë dezinformimi” lidhur me projektin e tërhequr më vonë të Gianni Infatinos për hapjen e mundshme të organizatës ndaj kapitalit privat.
FIFA i ka kërkuar gjykatës amerikane të rrëzojë kërkesën e UEFA-s për të pasur akses në dokumentet që lidhen me këtë projekt dhe me propozimin e presidentit të organizatës botërore të futbollit.
Sipas FIFA-s, kërkesa e UEFA-s nuk lidhet vetëm me dokumentet në fjalë, por edhe me një përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s që pritet të zhvillohen vitin e ardhshëm.
Në letrën e saj, FIFA kundërshton gjithashtu pretendimet se Infantino mund të ketë pasur përfitime personale nga ideja për përfshirjen e kapitalit privat.
“Pa asnjë bazë, UEFA sugjeron se Infantino është përpjekur të përfitojë personalisht nga propozimi”, thuhet në qëndrimin e FIFA-s.
Projekti për hapjen ndaj kapitalit privat, i cili më pas u tërhoq, kishte shkaktuar diskutime dhe interesim brenda strukturave të futbollit europian dhe botëror.
Tashmë çështja ka kaluar edhe në planin juridik, ndërsa përplasja mes dy institucioneve më të rëndësishme të futbollit europian dhe botëror pritet të marrë zhvillime të tjera në prag të zgjedhjeve presidenciale të FIFA-s.
UEFA, nga ana tjetër, ka kërkuar akses në dokumentet që lidhen me projektin, ndërsa vendimi përfundimtar do t’i takojë gjykatës amerikane.

