FMN dhe Banka e Shqipërisë vlerësojnë progresin e sistemit financiar shqiptar, infrastrukturë e modernizuar dhe institucione më të shëndetshme

29/09/2026 10:51

Sistemi financiar shqiptar ka shënuar përparim të ndjeshëm krahasuar me vlerësimin e mëparshëm të viteve 2013–2014.

Konstatimi vjen nga misioni i përbashkët i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në kuadër të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar, FSAP.

Përmbyllja e vlerësimit u diskutua më ditën e djeshme në një takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ku morën pjesë edhe drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Ministrisë së Financave.

Sipas përfaqësuesve të FSAP, Shqipëria tashmë ka institucione financiare më të shëndetshme dhe një sistem financiar më të diversifikuar. Vlerësimi evidenton gjithashtu modernizimin e infrastrukturës së pagesave, zgjerimin e ndërmjetësimit financiar dhe përdorimin më të madh të teknologjisë në ofrimin e shërbimeve financiare.

Në fokus të vlerësimit kanë qenë qëndrueshmëria e sistemit financiar ndaj rreziqeve dhe goditjeve, kuadri rregullator dhe mbikëqyrës, administrimi i krizave financiare, rreziku sistemik, siguria kibernetike, financimi në epokën digjitale dhe zhvillimi i tregjeve të kapitalit.

FMN dhe Banka Botërore kanë vlerësuar edhe përafrimin e ndjeshëm të kuadrit ligjor dhe rregullativ shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, çka sipas tyre ka krijuar kushte për një mbikëqyrje më efektive të sektorit financiar.

Në të njëjtën kohë, rekomandimet e FSAP synojnë forcimin e mëtejshëm të qëndrueshmërisë së sistemit financiar, përmirësimin e administrimit të rreziqeve dhe rritjen e rolit të sektorit financiar në financimin e ekonomisë reale.

Guvernatori Gent Sejko falënderoi ekipin e ekspertëve të FMN-së dhe Bankës Botërore për punën e kryer dhe theksoi rëndësinë e një vlerësimi të pavarur në këtë fazë të zhvillimit të sistemit financiar shqiptar.

Sejko deklaroi gjithashtu se rekomandimet e FSAP do të analizohen nga autoritetet shqiptare dhe do të përdoren për të mbështetur reformat e mëtejshme të sistemit financiar në periudhën afatmesme.

Në përfundim, palët e vlerësuan procesin si të suksesshëm dhe shprehën angazhimin për vijimin e bashkëpunimit dhe ofrimin e asistencës teknike në disa prej fushave të përfshira në vlerësim.

 

Top Channel