Katër persona janë arrestuar nga policia e Korçës në dy operacione antidrogë të zhvilluar në fshatin Drithas dhe në aksin rrugor Prrenjas-Pogradec. Në Drithas të Bashkisë së Maliqit, policia njoftoi arrestimin e një 57 vjeçari, pasi u kap në flagrancë duke shitur kokainë me doza në një lokal të marrë me qira. Në këtë operacion u sekuestrua një sasi e konsiderueshme kokaine, një peshore elektronike dhe një aparat telefonik. Ndërkohë, tre persona të tjerë u arrestuan në rrugën Përrenjas-Pogradec, teksa lëviznin me dy automjete të ndryshme. Policia thotë se gjatë kontrolleve të ushtruara në makinat e tyre gjeti dhe sekuestroi gati 6 kilogramë hashash Tre personat 25, 26 dhe 27 vjeç, dy prej tyre nga Tirana dhe një nga Shëngjini u arrestuan në flagrancë me akuzën e kultivimit dhe shitjes së lëndëve narkotike teksa u sekuestrua droga, dy automjetet dhe katër celularë.