Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

SPAK dritë të kuqe Këshillit Bashkiak të Tiranës, nuk lejon Erion Veliaj që të marrë pjesë në mbledhjen e sotme

Shkruar nga Newsbomb
SPAK dritë të kuqe Këshillit Bashkiak të Tiranës, nuk
Erion Veliaj

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka refuzuar kërkesën e bërë disa ditë më parë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, të cilët përmes një shkrese zyrtare ju drejtuan Strukturës së Posaçme ku dhe i kërkuan leje për kryebashkiakun Erion Veliaj që t’i mundësohej pjesëmarrja në mbledhjen e sotme.

Burime për mediat bëjnë me dije se ky refuzim nga ana e SPAK ka ardhur në bazë të dispozitave të ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, që përcakton të drejtat dhe trajtimin e personave që ndodhen në paraburgim, si dhe kompetencat e institucioneve përgjegjëse.

Kujtojmë se në kërkesën e depozituar idsa ditë më parë, Këshilli kërkonte që Veliaj të lejohej të merrte pjesë fizikisht në mbledhje ose, nëse kjo nuk do të ishte e mundur për shkak të masave kufizuese ndaj tij, të mundësohej lidhja përmes videokonferencës.

Pjesëmarrja e kryetarit të Bashkisë vlerësohej e rëndësishme për shqyrtimin e disa çështjeve të administrimit të Tiranës, ndërsa në rendin e ditës është përfshirë edhe qëndrimi zyrtar për projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Në shkresë, Këshilli Bashkiak i referohej edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese datë 3 nëntor 2025, duke argumentuar se pjesëmarrja e kryebashkiakut në punimet e këshillit lidhet me ushtrimin e funksioneve të tij institucionale.

“Këshilli Bashkiak do të mblidhet ditën e martë, datë 29 shtator 2026, ora 15:00, në sallën e Këshillit Bashkiak, për shqyrtimin, mes të tjerave, edhe të pikës 11 të rendit të ditës, ku detyrimi për t’u shprehur me një qëndrim zyrtar ndaj projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, i takon si Kryetarit të Bashkisë Tiranë, ashtu edhe Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Nisur nga sa është thënë më sipër dhe referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 66, datë 03.11.2025, por edhe duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, ju kërkojmë që, nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet:

lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike,

Ose, nëse kjo nuk është e mundur,

mundësimi i pjesëmarrjes së tij nëpërmjet një modaliteti të përshtatshëm komunikimi (online, videokonferencë apo formë tjetër të aprovuar).

Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.

Ju lutemi të na informoni me shkrim mbi vendimmarrjen tuaj, duke patur parasysh rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të të drejtës së Kryetarit të Bashkisë për të raportuar para Këshillit Bashkiak”, thuhej në kërkesë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese