Shkencëtarët kanë zbuluar sinjale radio që duket se vijnë drejtpërdrejt nga Beta Pictoris b, një planet gjigant jashtë Sistemit Diellor, rreth 63 vite dritë larg Tokës. Sinjalet u kapën me rrjetin e radioteleskopëve MeerKAT, në Afrikën e Jugut dhe studiuesit arritën t’i lokalizojnë te vetë planeti dhe jo te ylli rreth të cilit ai orbiton. Ky është një hap i rëndësishëm, pasi deri tani ishte e vështirë të përcaktohej nëse emetimet radio të sistemeve të largëta vinin nga planeti apo nga ylli i tij.
Beta Pictoris b është një gjigant i gaztë me masë rreth 10–12 herë më të madhe se Jupiteri. Ai rrotullohet jashtëzakonisht shpejt, duke përfunduar një ditë në vetëm rreth 8–9 orë. Studiuesit mendojnë se sinjalet lidhen me aurorat e planetit. Impulset radio janë të shkurtra, përsëriten dhe janë shumë të polarizuara në mënyrë rrethore, karakteristika që përputhen me emetimet radio të krijuara nga ndërveprimi i grimcave të ngarkuara me fushën magnetike.
Vëzhgimet japin gjithashtu të dhëna për një fushë magnetike jashtëzakonisht të fuqishme. Studimi vlerëson një intensitet prej të paktën rreth 1.25 kilogauss, pra më shumë se 1,000 gauss në rajonin ku prodhohet emetimi. Nuk ka asnjë dëshmi për një burim artificial apo për jetë inteligjente, dërsa sinjalet shpjegohen si një fenomen natyror i lidhur me magnetizmin dhe aurorat e planetit. Studimi ende nuk ka kaluar procesin e rishikimit shkencor nga kolegët. Prandaj, rezultatet janë premtuese, por kërkojnë verifikim të mëtejshëm përpara se të konsiderohen përfundimisht të konfirmuara.