Sport

Kuqezinjtë me ndryshime, sot për goleadë në San Marino/Gjithçka live në Digitalb!

Shqipëria e futbollit sot luan aktin e dytë në Ligën e Kombeve. Pas fitores 2-0 me Bjellorusinë, më 26 shtator në “Air Albania”, kuqezinjtë përballen me San Marinon në transfertë, prej orës 20:45 dhe gjithçka vjen live në Supersport 2 në Digitalb.

Një ndeshje e lehtë në letër, por që meriton vlerësim maksimal, sepse duhen pikët dhe sa më shumë gola.

Finlanda, rivalja kryesore e Shqipërisë në grup për vendin e parë, shënoi 7 herë në portën e San Marinos, kështu që skuadrës sonë i nevojitet fitorja me goleadë për të mos pasur pengje në llogaritë përfundimtare.

Trajneri Rolando Maran pritet të bëjë disa ndryshime në ndeshjen e sotme, sa për të çlodhur ndonjë titullar të rëndësishëm, aq edhe për t’u dhënë hapësirë lojtarëve të tjerë që ka në dispozicion të tregojnë vlerat. Veçse, pa prishur ekuilibrin e skuadrës, sepse rezultati është parësor dhe nuk ka kohë për eksperimente.

Në portë pritet të jetë sërish Berisha, kurse në mbrojtje me shumë mundësi do të ketë ndryshime. Hysaj dhe Pilo mendohet ta nisin nga stoli, duke u lënë vendin respektivisht Sinës e Mitajt. Për Samuele Sinën do të ishte ndeshja e debutimit me fanellën kuqezi. Kapiteni Gjimshiti dhe Ismajli nuk lëvizin.

Ramadani mund të pushojë në mesfushë, ku Shehu pritet të pozicionohet përkrah Asllanit. Uzuni pritet të marrë një fanellë titullari, duke qenë mes mesfushës dhe sulmit.

Ernest Muçi, pas golit të shënuar ndaj Bjellorusisë dhe lojës së mirë, pritet ta nisë sërish nga minuta e parë. Mehmeti ka shanse të marrë vendin e Hoxhës në krahun e majtë të sulmit, ndërsa në majë të repartit të avancuar do të jetë njëri mes Manajt dhe Dakut, me të parin të favorizuar.