Së fundmi, Ilir Topi ka “liruar” karrigen e tij që e mbajti për 4 muaj, pasi ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndërsa sot është zbuluar dhe pasuesja e tij.
Pas formalizimit të dorëheqjes së Topit ditën e sotme, burime për mediat bëjnë me dije se në orën 09:00 është firmosur me Këshillin Administrativ procedura për largimin e tij nga detyra.
Ndërsa mësohet se drejtuesi i ri i institucionit pritet të prezantohet sot në orën 11:00 nga ministrja e Shëndetësisë. Sipas raportimeve të deritanishme, pritet që Suela Popa të zërë karrigen e Topit.
Popa me profesion mësohet se është një financiere, e cila ka kryer studimet për Financë-Bankë dhe Drejtësi nga Universiteti i Tiranës. Ndër vite ajo ka shërbyer si Drejtore e Përgjithshme e AZHBR-së dhe anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Sot pritet që Popa të marrë drejtimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
