Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin në Kavala të Greqisë, pasi një futbollist 16-vjeçar, me origjinë shqiptare, ka humbur jetën pas një dëmtimi të rëndë në kokë gjatë një ndeshjeje në ishullin Thassos.
Asllan Gjana, pjesë e skuadrës Byronas Kavala, po luante kundër Aiandas Panagias në një ndeshje të kategorisë së dytë të Shoqatës së Futbollit të Kavalës, kur vetëm në minutën e dytë të takimit u përplas rëndë.
Gjatë një dyluftimi për topin, 16-vjeçari doli jashtë fushës dhe goditi pjesën e pasme të kokës në gardhin rrethues të stadiumit. Pas përplasjes, ai humbi ndjenjat.
Ndeshja u ndërpre menjëherë dhe futbollistit iu dha ndihma e parë nga mjeku i takimit.
Në vendngjarje u thirr edhe shërbimi i urgjencës mjekësore, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë u vendos transportimi i menjëhershëm drejt spitalit.
16-vjeçari u dërgua në Spitalin e Kavalës, ku u shtrua në repartin e kujdesit intensiv.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti të mbijetojë. Lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe te familja, shokët e skuadrës dhe komuniteti sportiv në Kavala.
Klubi Byronas Kavala reagoi me një mesazh prekës për ndarjen nga jeta të futbollistit të tij. “Me dhimbje të padurueshme dhe trishtim të papërshkrueshëm, familja atletike e Byron Kavalës i jep lamtumirën njërit prej fëmijëve të saj”, thuhet në reagimin e klubit.
“Byroni i Kavalës është në zi, ka humbur një nga fëmijët e tij. Udhëtim të mbarë, djali ynë, ti do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona”, vijon mesazhi.












