Nga Albana Vokshi/ Si po e mund narkoshteti shqiptar kushtëzimin evropian
*Fjala e plotë e Albana Vokshit, Nënkryetare e Komisionit ...
Luigi Pirandello ka thënë një të vërtetë, por tronditëse: “Në udhëtimin e gjatë të jetës do të takoni shumë maska dhe më pak fytyra.”
Disa njerëz e mbajnë fytyrën si të vërtetën e tyre dhe ka të tjerë që e përdorin atë si një maskë. Të parët mund të jenë të papërsosur, të gabojnë, të zemërohen, të pendohen, të rrëzohen e të ngrihen përsëri, por janë ata që janë. Të dytët kanë mësuar artin e ndërlikuar të të dukurit ndryshe nga ç'janë.
Këtu nis hipokrizia.
Ajo nuk është vetëm gënjeshtër. Gënjeshtari mund të fshehë një të vërtetë. Hipokriti shkon më larg, ai ndërton një të vërtetë të rreme për veten dhe kërkon që të tjerët ta besojnë.
Prandaj hipokrizia është një nga format më të sofistikuara të falsitetit njerëzor. Ajo nuk vjen gjithmonë me fytyrë të egër, shpesh vjen e buzëqeshur. Nuk bërtet, pëshpërit. Nuk kërcënon, lajkaton. Nuk e shpall interesin, e vesh me parime.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë është kaq e rrezikshme.
Sepse e keqja që shfaqet si e keqe mund të njihet. E keqja që vishet me rrobat e së mirës është shumë më e vështirë për t'u dalluar.
François de La Rochefoucauld e përmbledh këtë paradoks me një nga aforizmat më të mprehta të moralistikës evropiane:
“Hipokrizia është homazhi që vesi i bën virtytit.”
Në këtë fjali të shkurtër fshihet një e vërtetë e madhe, sipas së cilës, hipokriti shtiret si i mirë sepse e di se mirësia ka ende vlerë në sytë e njerëzve. Ai nuk e hedh poshtë virtytin, e imiton atë. Nuk e mohon moralin, e përdor si kostum.
Dhe kështu, paradoksalisht, edhe hipokrizia dëshmon se njeriu e njeh dallimin midis së mirës dhe së keqes, edhe atëherë kur zgjedh të përfitojë duke e shkelur të mirën.
Pirandello e bëri maskën një nga simbolet më të fuqishme të ekzistencës moderne.
Njeriu nuk është vetëm ai që mendon se është. Ai është edhe ai që të tjerët besojnë se është. Midis këtyre dy pamjeve lind drama.
Ne jetojmë në role.
Jemi fëmijë, prindër, miq, kolegë, drejtues, vartës, qytetarë, besimtarë, intelektualë, artistë. Çdo rol kërkon një sjellje të caktuar. Kjo nuk është domosdoshmërisht hipokrizi. Shoqëria do të ishte e pamundur pa njëfarë vetëpërmbajtjeje, pa takt, pa diplomaci, pa aftësinë për të mos e kthyer çdo mendim spontan në një deklaratë publike.
Por ekziston një vijë që ndan përmbajtjen nga falsifikimi.
Të mos thuash gjithçka nuk do të thotë të gënjesh.
Të jesh diplomatik nuk do të thotë të jesh hipokrit.
Të respektosh dikë edhe kur nuk pajtohesh me të nuk është shtirje.
Hipokrizia fillon atëherë kur njeriu shfaq si bindje atë që nuk beson, si dashuri atë që nuk ndien, si virtyt atë që nuk praktikon dhe si parim atë që e braktis sapo i pengon interesin.
Aty maska nuk është më pjesë e rolit. Ajo bëhet identitet.
Dhe kjo është tragjedia.
Sepse një maskë e mbajtur gjatë mund të fillojë të ngjitet pas fytyrës.
Molière e kuptoi këtë shekuj më parë. Në aktin e tij monumental krijues “Tartuffe”, ai krijoi një nga figurat më ikonike hipokritit, solli në jetë një njeri që përdor gjuhën e devotshmërisë për të maskuar interesin.
Tartuffe nuk është i rrezikshëm sepse duket i keq.
Është i rrezikshëm sepse duket i mirë.
Kjo është arsyeja pse hipokrizia ka qenë gjithmonë më e rrezikshme se gënjeshtra e zakonshme, sepse ajo nuk kërkon vetëm të fshehë të keqen, kërkon ta bëjë të keqen të duket e pranueshme.
Njeriu hipokrit nuk thotë: “Jam këtu për të përfituar prej teje.”
Ai thotë: “Jam këtu për të mirën tënde.”
Nuk thotë: “Dua pushtetin.”
Thotë: “Dua të të shërbej.”
Nuk thotë: “Dua të më duartrokasin.”
Thotë: “Nuk bëj asgjë për vete.”
Në këtë transformim të interesit në virtyt qëndron një nga mekanizmat më të vjetër të manipulimit njerëzor.
Edhe Shakespeare e vendosi këtë mekanizëm në zemër të një prej figurave më të errëta të letërsisë.
Iago, te Otello, thotë: “Nuk jam ai që jam.”
Është një fjali që mund të lexohet si një formulë e përkryer e hipokrizisë.
Sepse hipokriti jeton pikërisht në këtë përmbysje, ajo që duket nuk është ajo që është.
Ai mund të flasë për besnikëri dhe të ndërtojë tradhti.
Mund të flasë për drejtësi dhe të kërkojë privilegj.
Mund të predikojë sinqeritet dhe të fshehë interesin.
Mund të dënojë gënjeshtrën dhe të jetojë prej saj.
Prandaj, kur gjykojmë dikë, ndoshta duhet të shohim më pak atë që thotë për veten dhe më shumë atë që bën kur askush nuk e sheh.
Karakteri nuk është ajo që njeriu deklaron për veten, është ajo që mbetet kur deklaratat nuk i sjellin më asnjë përfitim.
Një nga mburojat më të përdorura të hipokritit është fjala diplomaci.
“Unë nuk jam hipokrit, jam diplomatik.”
Por diplomacia dhe hipokrizia nuk janë e njëjta gjë. Diplomacia kërkon të mos e poshtërosh tjetrin pa qenë nevoja.
Hipokrizia kërkon të mashtrosh tjetrin kur të leverdis. Diplomacia mund të heshtë për të ruajtur paqen.
Hipokrizia hesht për të ruajtur interesin. Diplomacia e zbut të vërtetën.
Hipokrizia e zëvendëson atë.
Kant e vendosi sinqeritetin në zemër të moralit pikërisht sepse një marrëdhënie njerëzore nuk mund të ndërtohet mbi një vullnet të vazhdueshëm për të mashtruar tjetrin.
Njeriu që e sheh tjetrin vetëm si mjet për qëllimet e veta, në thelb e mohon dinjitetin e tij.
Dhe këtu hipokrizia prek një problem shumë më të thellë se sjellja e keqe, ajo e kthen tjetrin nga njeri në instrument.
Montaigne ishte i magjepsur nga kontradiktat e njeriut. Ai e dinte se qenia njerëzore nuk është një bllok i pastër morali, por një përzierje e frikës, dëshirës, krenarisë, dobësisë, virtytit dhe kundërthënieve.
Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm edhe me një tjetër iluzion, të besojmë se të gjithë hipokritët janë “ata”, ndërsa ne jemi gjithmonë “ne të sinqertët”.
Edhe ky mund të jetë një mashtrim. Njeriu mund të jetë hipokrit pa e kuptuar.
Mund të dënojë te tjetri atë që toleron te vetja.
Mund të kërkojë ndershmëri nga të tjerët dhe të gjejë justifikime për veten.
Mund të flasë kundër interesit dhe të bëjë kompromis sapo interesi i tij vihet në lojë.
Mund të kërkojë drejtësi vetëm kur padrejtësia i drejtohet atij.
Kjo është arsyeja pse kritika e hipokrizisë duhet të fillojë gjithmonë me një pyetje të pakëndshme:
A jam unë gjithmonë ai që pretendoj se jam?
Sepse pasqyra është gjykatësi më i pakorruptuar.
Dhe ndoshta më i pamëshirshmi.
Nice e shihte njeriun si një qenie që krijon vazhdimisht interpretime për veten dhe botën. Një pjesë e madhe e jetës shoqërore është pikërisht kjo përpjekje për të ndërtuar një figurë të pranueshme të vetes.
Por problemi lind kur njeriu fillon të jetojë për imazhin dhe jo për qenien.
Atëherë ndodh diçka e frikshme, njeriu fillon të mbrojë imazhin e tij më shumë sesa të vërtetën e tij.
Prandaj disa njerëz nuk zemërohen sepse u ke thënë një gënjeshtër. Zemërohen sepse u ke thënë të vërtetën për veten.
Nuk i shqetëson gabimi. I shqetëson ekspozimi.
Nuk duan të ndryshojnë sjelljen. Duam vetëm të mos ua zbulosh maskën.
Rusoi e vendosi problemin e autenticitetit në zemër të mendimit të tij mbi shoqërinë. Në Rrëfimet, ai nis me një deklaratë të famshme ku premton të paraqitet ashtu siç është.
Në këtë akt ekziston një revoltë e thellë kundër nevojës njerëzore për të ndërtuar një figurë publike.
Sepse shoqëria na mëson shumë herët një gjë të çuditshme, jo vetëm si të jetojmë, por edhe si të dukemi.
Fëmijës i mësohet çfarë është e bukur, çfarë është e turpshme, çfarë është e pranueshme, çfarë duhet fshehur.
Dhe me kalimin e viteve ai mëson një art të rrezikshëm: të mos pyesë më “Çfarë jam?”, por: “Çfarë duhet të dukem?”
Prej kësaj pyetjeje lind një pjesë e madhe e dramës njerëzore.
Pascal e shihte njeriun si një qenie që shpesh kërkon shpërqendrimin për të mos u përballur me veten.
Dhe këtu hipokrizia fiton një dimension tjetër. Ndoshta disa njerëz nuk mbajnë maska vetëm për të mashtruar të tjerët. I mbajnë edhe për të mos parë veten.
Sepse të shohësh veten pa dekor është e vështirë.
Të pranosh zilinë, dobësinë, frikën, ambicien, pasigurinë, egoizmin, nevojën për miratim, është shumë më e vështirë sesa të ndërtosh një figurë morale.
Prandaj hipokrizia ndonjëherë është edhe një mekanizëm arratisjeje.
Njeriu thotë: “Unë jam i mirë.”
Dhe nuk pyet më: “A sillem mirë?”
Thotë: “Unë jam i drejtë.”
Dhe nuk pyet: “A jam i drejtë kur drejtësia më kushton?”
Thotë: “Unë jam mik i mirë.”
Dhe nuk pyet: “A jam mik kur tjetri nuk mund të më japë asgjë?”
Këtu fillon vetëgënjimi.
Dhe vetëgënjimi është më i thellë se gënjeshtra, sepse njeriu nuk ka më nevojë për një mashtrues jashtë vetes.
Ai është bërë vetë mashtruesi dhe viktima.
Stoikët do ta vendosnin problemin diku tjetër: te varësia nga gjykimi i jashtëm.
Seneka na kujton në thelb se jeta nuk duhet të matet me atë që mendojnë të tjerët për ne, por me atë që dimë për veten.
Kjo është një nga rrugët më të fuqishme për të dalë nga hipokrizia.
Sepse sa më shumë të varemi nga duartrokitja, aq më shumë tundimi për t'u shtirur rritet.
Njeriu që kërkon me çdo kusht të pëlqehet, herët a vonë do të mësojë të thotë atë që të tjerët duan të dëgjojnë.
Dhe kur kjo përsëritet gjatë, ndodh një paradoks, për të mos humbur të tjerët, humbet veten.
Oscar Wilde, mjeshtri i paradoksit, e kuptoi se shoqëria shpesh është më e interesuar për dukjen e virtytit sesa për vetë virtytin. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse hipokrizia mbijeton kaq mirë.
Sepse shumë shoqëri nuk kërkojnë domosdoshmërisht që të jesh i mirë. Kërkojnë që të dukesh i tillë.
Kjo mjafton për reputacionin. Mjafton për një fotografi. Mjafton për një postim. Mjafton për një fjalim. Mjafton për një duartrokitje. Por nuk mjafton për ndërgjegjen.
Në epokën e rrjeteve sociale, maska ka gjetur një formë të re. Dikur njeriu duhej të kishte një fytyrë për shtëpinë dhe një tjetër për shoqërinë.
Sot mund të ketë dhjetëra.
Një për familjen.
Një për punën.
Një për miqtë.
Një për publikun.
Një për Facebook-un.
Një për Instagram-in.
Dhe ndonjëherë asnjë për veten.
Kjo nuk do të thotë se çdo paraqitje publike është hipokrizi. Por bota digjitale e ka bërë shumë më të lehtë kurimin e një identiteti.
Mund të tregosh vetëm atë që dëshiron të shihet.
Mund të fshehësh gjithçka që nuk të leverdis.
Mund të shfaqësh dhembshuri pa bërë asgjë për atë që vuan.
Mund të predikosh modestinë duke fotografuar veten duke e predikuar.
Mund të shpallësh dashurinë për njerëzit dhe të sillesh mizorisht me ata që ke pranë.
Ekrani mund të jetë pasqyrë, por mund të jetë edhe perde.
Duhet të bëjmë edhe një dallim. Jo çdo njeri që sillet në mënyrë kontradiktore është hipokrit.
Njeriu është qenie e papërsosur.
Mund të premtojë dhe të dështojë.
Mund të besojë një gjë sot dhe ta rishikojë nesër.
Mund të ketë dobësi që nuk përputhen me idealet e tij.
Kjo nuk është domosdoshmërisht hipokrizi.
Hipokrizia kërkon një element tjetër, pretendimin e vetëdijshëm ose të qëndrueshëm për një virtyt që përdoret si maskë për një qëllim tjetër.
Kjo është arsyeja përse nuk duhet ta përdorim fjalën “hipokrit” si një gur që ia hedhim çdo njeriu që nuk na pëlqen.
Sepse edhe akuza për hipokrizi mund të bëhet maskë.
Maska e atij që pretendon se është më i pastër se të tjerët.
Ndoshta hipokriti më i rrezikshëm nuk është ai që e di se po gënjen. Është ai që ka filluar ta besojë gënjeshtrën e vet.
Kur gënjeshtra përsëritet mjaftueshëm, bëhet narrativë. Kur narrativa përsëritet mjaftueshëm, bëhet identitet. Dhe kur identiteti mbrohet me çdo kusht, njeriu mund të arrijë të luftojë edhe kundër fakteve për të mos u përballur me veten.
Këtu hipokrizia shndërrohet në burg. Sepse njeriu nuk ka më nevojë për gardian. Ai e ruan vetë burgun e tij.
Ndoshta jo plotësisht. Çdo njeri ka role. Çdo njeri ruan diçka për vete. Çdo njeri ka një botë të brendshme që nuk mund t'ua japë të gjithëve. Autenticiteti nuk është zhveshje totale para botës.
Nuk do të thotë të mos kesh privatësi. Nuk do të thotë të thuash gjithçka. Nuk do të thotë të jesh i ashpër në emër të së vërtetës.
Autenticiteti është diçka më e vështirë, të mos e tradhtosh thelbin tënd për të blerë miratimin e të tjerëve.
Të mundesh të thuash “nuk e di”. Të pranosh “gabova”. Të thuash “nuk jam dakord”. Të mos lavdërosh kur nuk admiron. Të mos përqafosh për interes. Të mos mbrosh padrejtësinë sepse të leverdis.
Të mos e shesësh ndërgjegjen për një vend në tavolinën e dikujt tjetër.
Kjo është fytyra.
Është e lehtë të dallosh hipokritin tek tjetri. Është shumë më e vështirë ta dallosh tek vetja. Prandaj ndoshta pyetja më e ndershme nuk është: “Sa hipokritë janë njerëzit përreth meje?”
Por: “Në cilat momente unë kam veshur një maskë për të mos paguar çmimin e së vërtetës?”
Sepse të gjithë kemi pasur momente frike. Të gjithë kemi heshtur kur duhej të flisnim.
Të gjithë kemi kërkuar ndonjëherë miratimin e të tjerëve. Të gjithë kemi bërë ndonjë kompromis.
Dallimi qëndron te ajo që bëjmë më pas. Disa e heqin maskën. Disa e ngjisin më fort. Dhe disa, pas shumë vitesh, nuk e dinë më se ku mbaron roli dhe ku fillon fytyra.
La Rochefoucauld na mëson se vesi i bën homazh virtytit duke e imituar.
Pirandello na kujton se njeriu mund të humbasë mes maskave.
Molière na tregon se maska mund të përdoret për pushtet.
Shekspiri na paralajmëron për njeriun që thotë: “Nuk jam ai që jam.”
Kant na kujton dinjitetin e tjetrit dhe rrezikun e kthimit të tij në mjet.
Rusoi na vendos përballë konfliktit midis qenies dhe dukjes.
Paskal na kujton se njeriu shpesh ikën nga vetja për të mos u përballur me boshllëkun e saj.
Seneka na shtyn të çlirohemi nga varësia ndaj gjykimit të turmës.
Dhe të gjithë, në mënyra të ndryshme, na çojnë te e njëjta pyetje: Kush je kur nuk ke më nevojë t'i bindësh askujt se kush je?
Ndoshta aty fillon liria.
Jo kur të gjithë të pranojnë.
Jo kur të gjithë të duartrokasin.
Jo kur askush nuk të kundërshton.
Por kur mund të qëndrosh vetëm me ndërgjegjen tënde dhe të mos kesh nevojë të shpikësh një version tjetër të vetes.
Sepse, në fund, hipokrizia mund të të ndihmojë të fitosh një turmë, një post, një miqësi, një favor, një reputacion.
Por ka një çmim që ajo nuk ta fal, të mëson të jetosh larg vetes.
Dhe ky është burgu më i rëndë që mund t'i ndërtohet një njeriu. Sepse burgun e gurit mund ta hapë dikush tjetër. Burgun e maskës duhet ta hapësh vetë.
Dhe kur një ditë dritat e skenës të fiken, kur duartrokitjet të pushojnë, kur interesat të treten dhe njerëzit të largohen, mbetet vetëm një njeri përballë një pasqyre.
Atëherë nuk ka më rol. Nuk ka më publik. Nuk ka më justifikime. Ka vetëm fytyra. Dhe një pyetje të heshtur, të pamëshirshme: A e njeh ende atë që po sheh?
Sepse njeriu nuk e humbet veten vetëm kur gënjen të tjerët, e humbet pak nga pak, sa herë që gënjen veten për t'u dukur i pranueshëm para tyre.
*Fjala e plotë e Albana Vokshit, Nënkryetare e Komisionit ...
Sepse, për fat të keq, burrat e shtetit nuk prodhohen në k...
Pasi bëri “autopsinë” e politikës moderne, filozofi Maks W...
“Të gjitha qytetërimet janë të vdekura. Edhe filmat. Veç...
Ergys Agasi i sotëm shqiptar, Rasputin i dikurshëm pranë ...
Konspiracioni i radhës është se Parlamenti Evropian ka kon...
Kreu i komplotit, na kishte qenë tamam siç do e donte Fush...
Ish-shefja e SHISH, Vlora Hyseni, u duk sikur u tradhtua n...
VLORË MOJ NUR I PUSHTETIT Vlorë moj nur i pushtetit, Kan...
Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-s me skandale s...
Para pak muajsh, Edi Rama e "shpëtoi" Shqipërinë nga turpë...
Nuk jam i prirur t’i konsideroj e as t’i besoj gjithë sa p...
I gjendur në hall, e madje në hall të madh, Kryeministri E...
Pse e quaj Tani i Madh? Mbase krahasimi me Akeksandrin e M...
Disa njerëz janë vërtet patriotë. Disa hiqen si patriotë. ...
Këto nëntë konstatime janë vijim i reagimit të parë ndaj a...
Kur Evlija Çelebi mbërriti në Elbasan më 1670, e përshkroi...
Rama mendon se njerëzit duan thjesht emrin, lugën bosh e p...
Tik -taku i gjashtë muajve Tirana politike sot i ngjan sp...
Në një shfaqje si hije afër mesnatës në Parlament, Edi Ram...
Këshilli i Ministrave ka ndërmarrë një lëvizje në struktur...
Biznes elektroshtëpiakesh dhe supermarkete. Kështu rezulto...
Emisioni “Stop” trajtoi këtë të premte, më 18 shtator, ras...
Emisioni “Stop” transmetoi mbrëmjen e djeshme, më 15 shtat...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi këtë të hën...
Vettingu i KPA-së vendosi këtë të enjte shkarkimin e p...
Suela Salavaçi, me detyrë prokurore në Prokurorinë e T...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rikthyer në detyrë pro...
Një 57-vjeçar, që shiste kokainë në lokalin që kishte marr...
Një mësues u vu në pranga pasi u zbulua se ka ngacmuar sek...
Monitorimi në akset rrugore dhe në pikat hyrëse-dalëse të ...
Një ngjarje e rëndë është shënuar sonte në në fshatin Ferm...
Për ditën e martë vendi ynë do të ndikohet nga të njëjtat ...
Aksidentet rrugore u rritën me 6.2% në tetë muajt e parë t...
Për ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmo...
Zhurmat në zona të ndryshme në qytetin e Korçës i tejkaloj...
Kërkimi disamujor për blerës dështoi: tri qendrat gjermane...
"Kontributi që një Europë e organizuar dhe e gjallëruar mu...
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u takua fshehuraz...
Drejtuesit e disa prej kompanive më të mëdha të inteligjen...
Tirana ka një mozaik të ri të krijuar nga një punë artizan...
Një mbrëmje kushtuar poezisë, artit dhe krijimtarisë së po...
Më 29 shtator 2026, Teodor Laço, një prej figurave të shqu...
Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar vendimi pë...
Këtë të martë një dollar amerikan blihet me 80.4 lekë dhe ...
Çmimet e derivateve në Kosovë po vazhdojnë të mbeten në ni...
Të gjitha matjet zyrtare tregojnë përkeqësimin e mundësive...
Pasqyrë moj pasqyrë, cili është shteti me rritjen më të la...