E martë, 29 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Goditet Akademia e Shkencave në Ukrainë, ushtria ruse zgjeron hartën e sulmeve me dronë dhe raketa

Rusia ka vijuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës, ndërsa shpërthime janë dëgjuar edhe në orët e para të së martës në kryeqytetin e vendit

Sipas Reuters, mbrojtja ajrore ukrainase është aktivizuar pas sulmeve me dronë dhe raketa. Mbetje raketash kanë rënë në oborrin e një pallati banimi, ndërsa një tjetër godinë është përfshirë nga zjarri.

Reklamë

Sulmet e fundit vijnë një ditë pasi Rusia goditi disa zona të Ukrainës duke lëshuar një numër të madh dronësh.

Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, në sulmet e së hënës u vranë të paktën 9 persona dhe mbi 80 të tjerë u plagosën në të gjithë vendin.

Në Kiev, një nga objektivat ishte godina e Akademisë Kombëtare të Shkencave, ku humbën jetën dy persona. Dhjetëra të tjerë u plagosën në kryeqytet.

Në Dnipro, një sulm me dron ndaj një qendre biznesi shkaktoi tre viktima, ndërsa 19 persona u plagosën.

Goditje u raportuan edhe në Synelnykove dhe Zaporizhzhia, ku autoritetet thanë se u plagosën 32 persona.

Rusia ka përdorur së fundmi dronë më të shpejtë, me motor reaktiv, të cilët fluturojnë në lartësi më të mëdha dhe janë më të vështirë për t’u interceptuar.

Zelensky tha se nga 120 dronët e përdorur në një nga sulmet e fundit, rreth 90 ishin të këtij lloji, ndërsa shkalla e interceptimit ishte rreth 57 për qind.

Ndërkohë, ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se sulmet kanë goditur kryesisht infrastrukturën e lidhur me ushtrinë, qendra logjistike, porte dhe objekte komunikimi.

Reuters thekson se këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Sulmet e reja shënojnë një tjetër përshkallëzim të luftës ajrore, ndërsa Ukraina dhe Rusia vazhdojnë të godasin objektiva në territorin e njëra-tjetrës.

Reuters raporton gjithashtu se Kremlini ka deklaruar se Ukraina do “paguajë çmimin” për sulmet e saj të fundit ndaj objektivave në Rusi dhe se Moska do të vazhdojë operacionet ushtarake.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.