Analisti i ‘Syrit’ Florjan Nuri ndërtoi pallat 13-kate në shkelje të lejes në Vlorë, kush janë rrufjanët që bënë kërdinë me ndërtime

Investigim

Publikuar: 29/09/2026

Analisti i ‘Syrit’ Florjan Nuri ndërtoi pallat 13-kate në shkelje të lejes në Vlorë, kush janë rrufjanët që bënë kërdinë me ndërtime

Ish shefi i kabinetit të Institucionit të Presidencës, Florjan Nuri, i shfaqur vitet e fundit edhe si analist, përmes editorialeve të shkruara, publikuar në portalin Syri të Familjes Berisha, ka ndërtuar një pallat me 13 kate në Vlorë, në shkelje të lejes së ndërtimit. Ndërtimi ndryshe nga projekti i miratuar është konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, përmes një raporti auditimi të Bashkisë Vlorë, për periudhën 2023-2024.

Shkeljet janë lejuar nga ish kryetarët e Bashkisë Vlorë Dritan Leli dhe Ermal Dresha, në bashkëpunim me Drejtorinë e Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit, Bashkia Vlorë. Më konkretisht, në gusht të vitit 2021, Florjan Nuri themeloi kompaninë e ndërtimit F.A.T.E. shpk, me kapital 100 mijë lekë, me zyra te Kodra e Diellit në Tiranë. Dy vjet më vonë, Florjan Nuri mori një leje ndërtimi ‘objekt banimi dhe shërbimesh me 12-13 kate dhe 1 kat nëntokë’, në Vlorë, me projektuese Erisa Muka.

Krahas misterit të burimit të financimit të ndërtimit, një investim që dikton miliona euro, Florjan Nuri, sipas KLSH, ka shkelur lejen e ndërtimit, duke zbatuar një projekt që nuk përputhej me atë që ishte miratuar. Nuri ka aplikuar në Bashkinë e Vlorës për miratimin e ndryshimeve në projekt pasi këto ndryshime i kishte realizuar ndërkohë. Kompania e Nurit ka aplikuar për rishikimin e projektit pasi ndërtimi ishte në fazë të përparuar karabina, duke shkelur ligjin për zhvillimin e territorit.

KLSH ka konstatuar batërdi me ndërtimet në Vlorë, si shtesa pa leje, devijim nga leja e miratuar, kate shtesë, mashtrim me numrin e pakingjeve, mosresrespekim për dhënien e sipërfaqes së ndërtimit për bashkinë për strehimin, zaptim të hapësirave publike, ndërtime tërësisht pa leje etj.

Kanë shkelur ligjin me qëllim fitimi pronarët e kompanive (për të cilët do flasim në vijim) për zhvillimin dhe zbatimin e lejeve të ndërtimit në Vlorë si më poshtë;

-Godinë banimi dhe shërbime 1-8-9 kate dhe 1 kat nëntokë, miratuar me vendimin nr.585, datë 13/06/2023, Vlorë.

–Objekt 8 – 9 kate, 3 kate dyqane, 6 kate banim + parkim nëntokë, miratuar në 27.06.2023, Vlorë.

-Objekt shërbimi dhe banimi 5 kate dhe 1 kat nëntokë, miratuar në 13.06.2024, Vlorë.

-Godinë banimi dhe shërbimi 12 dhe 13 kate, me një kat parkim nëntokë”, miratuar në 08.05.2023, Vlorë.

-Objekt banimi dhe shërbimesh me 12-13 kate dhe 1 kat nëntokë, miratuar në 19.05.2023, Vlorë.

-Objekt banimi dhe shërbimesh me 12-13 kate dhe 1 kat nëntokë, miratuar në 11.05.2023, Vlorë.

-Godinë hotelerie dhe rezidenca banimi 8 kate, me 2 kate parkim nëntokë, miratuar në 15.06.2023, Vlorë.

-Objekt banimi 7 kate dhe 1 kat nëntokë”, me zhvillues, miratuar në 22.06.2023, Vlorë.

-Objekt banimi me 1-5-6-7 kate dhe 1 kat nëntokë, miratuar në 17.10.2024, Vlorë.