Amerikanët ikin përfundimisht nga Iraku, ekspertët: Fitore për Iranin dhe aleatët, ISIS mund të fuqizohet

Nga Rosalba Bejdo
29 Shtator 2026, 11:28 | Bota

Forcat amerikane do të tërhiqen nga bazat e fundit në Irak brenda së mërkurës, në një lëvizje që konsiderohet si fitore për Iranin dhe  aleatët që tashmë kanë ndikim të thellë në vend...

Ekspertët e sigurisë në Irak thonë se tërheqja e dakordësuar që në vitin 2024 nën udhëheqjen e presidentit Joe Biden, dhe e zbatuar nga administrata Trump, mund t’i japë Teheranit dhe aleatëve të tij të fuqishëm dorë të lirë, duke krijuar gjithashtu mundësi që kundërshtarë të tjerë të SHBA-së të rikthehen, përfshirë edhe Shtetin Islamik.

“Irani pritet të përfitojë strategjikisht nga largimi i koalicionit, pasi kjo heq nga Iraku një prani ushtarake që për vite me radhë ka shërbyer si kundërpeshë ndaj ndikimit të Teheranit”, shprehet Jasim al-Bahadli, ekspert i Sigurisë.

Abu Mojtaba al-Yasiri, një komandant i Rezistencës Islamike në Irak, një koalicion që përfshin grupe të armatosura të mbështetura nga Irani, e përshkroi tërheqjen e SHBA-së si “një fitore historike për grupet e rezistencës islamike irakiane dhe irakianët e ndershëm, si dhe një humbje dërrmuese për projektin amerikan".

Ndërsa largimi përfundimtar i forcave amerikane gëzon në përgjithësi mbështetje të gjerë mes irakianëve, ata që shqetësohen për fuqinë e grupeve të mbështetura nga Irani druhen se tërheqja po ndodh para kohe. SHBA pushtoi Irakun në vitin 2003 për të rrëzuar Saddam Husseinin dhe u tërhoq në fund të vitit 2011, pas vitesh pushtimi dhe përleshjesh.

Forcat amerikane u rikthyen në vitin 2014 për të ndihmuar Irakun në luftën kundër Shtetit Islamik deri në mposhtjen e tij në vitin 2017. Në luftën në Irak humbën jetën rreth 4500 ushtare amerikane, dy herë më shumë sesa në luftën paralele në Afganistan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos