TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prokuroria e Posaçme ka refuzuar kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës që Erion Veliaj të ishte i pranishëm në mbledhjen e sotme në orën 15:00 ku do të diskutohej reforma territoriale.
Refuzimi i SPAK bazohet te ligji për trajtimin dhe të drejtat e të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Këshilli bashkiak kërkonte aprovimin e një lejeje të përkohshme që Veliaj të ishte i pranishëm fizikisht ose të lidhej nga burgu i Durrësit përmes videotelefonatës.
Në seancën e sotme për Veliajn, nuk u paraqit asnjë avokat për shkak të bojkotit që ka pasuar rregulloren censuruese të GJKKO. Togat e zeza i kanë gjobitur avokatët me nga 10 mijë lekë dhe i kanë pezulluar afatet e paraburgimit kryebashkiakut të Tiranës.
Veliaj ndodhet në qeli prej shkurtit të 2025-ës dhe ndaj tij ka nisur gjyqi i themelit. SPAK e akuzon Veliajn për 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg, por kryebashkiaku i ka mohuar.
Më 15 shtator, Gjykata e Lartë la në fuqi arrestin me burg, pasi Kushtetuesja riktheu çështjen për proporcionalitetin e masës. Tani Gjykata e Lartë duhet të argumentojë përse në rastin e Veliajt nuk është e përshtatshme një masë më e lehtë.