Balazs Hanko, ish-ministër i Kulturës së Hungarisë dhe deputet aktual, është vënë në pranga nën dyshimet për përvetësim të fondeve të Fondit Kombëtar të Kulturës (NKA), institucion nën varësinë e Ministrisë së Kulturës.
Të lidhura
None found
Sipas Prokurorisë hungareze, ndalimi u krye të hënën në mbrëmje, në ambientet e Administratës Kombëtare të Tatimeve dhe Doganave, pasi parlamenti kishte miratuar heqjen e imunitetit të tij.
Hanko ka kundërshtuar akuzat. Pak para arrestimit, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në faqen e kryeministrit Viktor Orban në “Facebook”, ai tha se “ndërgjegjja ime është e pastër” dhe e përshkroi procedimin si një “gjyq politik”.
Çështja lidhet me dyshimet se NKA-ja ka shpërndarë miliarda forinta në formën e granteve shtetërore për artistë dhe organizata të afërta me partinë Fidesz, përmes një mekanizmi jo-transparent. Të gjithë personat dhe subjektet e përmendura i kanë mohuar shkeljet.
Në kuadër të të njëjtit hetim, në korrik policia kontrolloi zyrat ku ndodhen serverët e internetit të Fidesz-it. Autoritetet po hetojnë dyshime për “përvetësim dhe vepra të tjera penale” që mund të lidhen me fondin kulturor.
Hanko është zyrtari i dytë i nivelit të lartë që ndalohet brenda një dite. Të hënën u arrestua edhe Miklos Sesztak, ministër i Zhvillimit Kombëtar në qeverinë e Orbanit gjatë periudhës 2014-2018. Ai po hetohet për dyshime për ryshfet, por gjithashtu mohon çdo shkelje.
Arrestimet ndodhin ndërsa qeveria e kryeministrit Peter Magyar ka shtuar përpjekjet kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të parave publike. Sipas Magyar, këto praktika i kanë shkaktuar Hungarisë humbje sa 8% deri në 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitet e fundit, gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Viktor Orban.
Orban ka hedhur poshtë akuzat se gjatë 16 viteve në pushtet ka toleruar korrupsionin pa ndëshkim.
Në një postim në “Facebook”, Magyar e përshëndeti të hënën si një ditë me rëndësi, duke deklaruar se pas dekadash shumë hungarezë po shohin të zbatohet ajo që ai e quajti “barazi para ligjit”.
Hetimet ndaj Hanko-s dhe Sesztak-ut vijojnë, ndërsa autoritetet mund të shqyrtojnë edhe raste të tjera të dyshuara për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike.
