Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

SHISH dhe Siguria Kombëtare, degradimi në një situatë të kriminalizuar

Shkruar nga Newsbomb
SHISH dhe Siguria Kombëtare, degradimi në një situatë
Ekrem Spahiu

Nga Ekrem Spahiu

Shërbimi Informativ i Shtetit, një nga institucionet kryesore të shtetit, institucioni që i siguron sistemit institucional të sigurisë kombëtare njohjen e mjedisit strategjik mbi të cilin mbështetet vendimmarrja, ka degraduar duke shfaqur një situatë të kriminalizuar. Jo vetëm personalisht, por edhe institucionalisht.

Kjo situatë u shfaq menjëherë dhe paralel me ndalimin me arrest shtëpie të drejtueses. Pra, kështu paska qenë kushedi sa kohë më parë! Pa e paragjykuar, kjo shfaqje dhe logjika thonë se gjëndja në këtë shërbim duhet të jetë akoma më e rëndë.

Dhe ku? Në Shërbimin Informativ të Shtetit, veçanërisht i rëndësishëm për shtetet relativisht të vogla si vendi ynë, i cili ka një rëndësi të veçantë, sepse është ndoshta shërbimi kryesor që mund të kompensojë kapacitetet modeste në ekonomi, ushtri, etj.

Për një shtet të vogël, vetëm informacioni mund të shërbejë si shumëfishues i fuqisë. Shërbimi Informativ është hallka që lidh pikërisht informacionin me fuqinë e shtetit. Dhe ajo që e dallon një shërbim inteligjence nëse është efektiv apo jo është paralajmërimi në kohë. Por ajo çfarë ndodhi me titullarin e SHISH tregoi se ky institucion është absolutisht pas ngjarjeve, jo përpara tyre, përderisa edhe vetë drejtuesja e paska vendosur veten në funksion të krimit. Dhe sigurisht, në raporte të tilla, është i gjithë vendi që do të gjendet jo vetëm pas rreziqeve dhe kërcënimeve, por edhe i goditur prej tyre.

Por edhe kjo do të kishte qenë e keqja më e vogël kur dëgjojmë se titullarja e këtij shërbimi paska autoritet dhe kompetenca të qorrojë gjithë sistemin e sigurisë kombëtare, përderisa paska mundësinë të “fikë radarët e shtetit”, domethënë të japë e të marrë informacione në shërbim të krimit te organizuar, t’i bllokojë shtetit informacionin dhe ndërgjegjësimin për zbulimin dhe gjurmimin e kërcënimeve për kontrollin e territorit, të hapësirave tokësore, detare e ajrore si dhe të korridoreve e pikave të hyrje-daljes nga territori; për zbulimin dhe vlerësimin e aktiviteteve kriminale; për të njohur e kontrolluar flukset e mallrave që kalojnë kufirin në dogana, duke kërcënuar njëkohësisht interesat ekonomike, sigurinë e tregut dhe sigurinë kombëtare.

Për më tepër akoma, kjo situatë që u shfaq në Shërbimin Informativ të Shtetit tregoi edhe një dimension akoma më të rëndë: veprimtari kriminale në rrjet midis Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kupolës së Policisë së Shtetit! Nuk kish si të ndodhte ndryshe kur pothuajse e njëjta situatë është shfaqur herë pas here edhe në Policinë e Shtetit, ku korrupsioni dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar ka rrezik të jetë sistem edhe brenda këtij institucioni të rëndësishëm të sigurisë kombëtare.   

Në këtë kuadër, mësojmë se për këtë situatë të rëndë në sistemin e sigurisë kombëtare u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Uroj që kjo mbledhje të mos ketë qenë e para e këtij organi për çështje madhore të efiçencës së SHISH në funksion të sigurisë kombëtare.

Sepse mbledhje mund të bëhen, por situata e rëndë në Shërbimin Informativ të Shtetit ka çuar edhe në humbjen e besimit ndaj kapacitetit institucional të shtetit shqiptar për të qenë partner i shërbimeve të vendeve aleate. Zor se shërbimet partnere të besojnë Shërbimin Informativ të Shtetit kur shohin që dokumentet sekrete të tij dhe veprimtaria e tij ndahen me grupe apo persona të kriminalizuar!

Në fakt, mund të mbahet parasysh se ajo çfarë ka degraduar në këtë shërbim nis që nga procedura e përzgjedhjes dhe emërimit të titullarit të këtij institucioni, përderisa një person që shkarkohet në shtetin vëlla të Kosovës dhe, për më tepër, për rrjedhje informacioni, emërohet në një detyrë më të lartë në Shqipëri!

Sikurse është e njohur, kapacitetet e shërbimeve informative duan kohë të përftohen e të konsolidohen. Nëse situata nuk shëndoshet me përparësi në Shërbimin Informativ të Shtetit, atëherë zor se shteti shqiptar do të besohet të mikpresë zhvillimin në Shqipëri të Samitit të ardhshëm të NATO-s. Sepse vendet aleate që kanë standarde parametrash sigurie nuk mund të pranojnë që forume të tilla madhore të zhvillohen në mjedis pasigurie.

Mosrikuperimi i SHISH nga kjo gjendje mund të rrezikojë edhe mbajtjen në Shqipëri të Samitit të NATO-s dhe kjo do të ishte një humbje e madhe morale dhe besimi për vendin tonë.        

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese