“Përgjithmonë pjesë e historisë sonë”, Milani nderon Berlusconin në 90-vjetorin e lindjes

Silvio Berlusconi do të festonte sot 90-vjetorin e lindjes, ndërsa Milani ka zgjedhur ta kujtojë ish-presidentin e klubit përmes një mesazhi emocionues në rrjetet sociale.
“Silvio Berlusconi: një emër I përjetshëm i historisë sonë”, shkruan klubi kuqezi, duke nderuar figurën që ndërroi jetë më 12 qershor 2023.
Për të shoqëruar mesazhin, Milani ka përzgjedhur një prej imazheve më ikonike të Berlusconit: atë ku ai ngre lart Kupën e Kampionëve, të fituar nga kuqezinjtë në maj të vitit 1990 në “Prater” të Vjenës, pas fitores ndaj Benfikës.

Berlusconi mori drejtimin e Milanit në vitin 1986 dhe qëndroi në krye të klubit për 31 vite, duke u kthyer në një prej figurave më të rëndësishme në historinë e tij.
Gjatë presidencës së tij, Milani fitoi 29 trofe, mes tyre 5 Kupa të Evropës/Champions League, duke e bërë Berlusconin presidentin më të suksesshëm në historinë e klubit për numrin e trofeve të fituar gjatë drejtimit të tij.
Sot, në 90-vjetorin e tij të lindjes, Milani rikthehet te një prej momenteve që simbolizon më së miri epokën e Berlusconit: trofeu në duart e tij dhe një klub që shkroi një nga kapitujt më të lavdishëm të historisë së futbollit evropian.




