“Me mua iku edhe OFL”, Lleshaj: Gjermania e ka miratuar sot një kopje të atij ligji. Krimit i duhet hequr paraja

Nga A2 CNN
29 Shtator 2026, 11:38 | Politikë
“Me mua iku edhe OFL”, Lleshaj: Gjermania e ka miratuar sot një

 

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, deklaroi se Shqipëria e ka të humbur luftën me krimin e organizuar dhe korrupsionin nëse nuk rikthehet Operacioni Forca e Ligjit.

“Miratoi Gjermania një ligj për drejtësinë financiare, i cili është kopje e një ligji që bëmë ne dikur, OFL. Patëm nisur, asokohe, një tentativë ku thamë: krimi është biznes i egër. Krimi në Shqipëri, krimi i organizuar, bëhet për lekë, nuk bëhet për gjë tjetër. Askush nuk ka dalë të vrasë njerëz kot rrugëve. Çfarë duhet bërë? I duhet hequr paraja. Po i hoqe paratë, eliminove krimin”, tha Lleshaj në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.

“Dhe atëherë patëm thënë që ne e kemi të vështirë që ta mbajmë barrën e provës vetë dhe të provojmë që ora është shumë e shtrenjtë. Apo makina, apo shtëpia, apo kontrata bankare, apo kriptovaluta apo të tjera. Dhe thamë: ne s’e provojmë dot, provoje ti. Pra, barrën e provës do ta kalojmë tek ti që e ke edhe pasurinë mbi supe. Hajde, provoje që është e jotja. Nëse e provon, e gëzofsh. Nëse s'e provon, do të sekuestrohet dhe të konfiskohet. Ndodhi që filluam me një vrull të madh, por ndodhi që unë, dikur, pas pak kohe, dhashë dorëheqjen për arsyet e mia që dihen dhe, çuditërisht, pa kaluar as dy javë, iku edhe ligji. Bashkë me mua iku ligji”.

Sipas Lleshajt, anulimi i ligjit ishte i qëllimshëm. “Përgjigjja këtu është e qartë. U anulua ligji që kishim miratuar me luftë të madhe për t'u anuluar. Atëherë na thanë që ky ligj nuk është shumë korrekt e demokratik, ndërkohë që qeveria gjermane e ka miratuar këtë ligj dhe më pas do të kalojë në parlament, që thotë: çdo pronë, sigurisht, mbi një limit të caktuar, duhet provuar. Dhe këtë do ta bëjë dogana, jo prokuroria, as gjykata. Ke 30 ditë kohë ta provosh, përndryshe ndahu me të”, shtoi Lleshaj. “Shqipëria, pa bërë këtë, duhet t'i harrojë këto teatro. Thjesht duhet t'i harrojë”.

Sipas tij, nga viti 2020 kur nisi zbatimi i Operacionit Forca e Ligjit, Shqipëria nuk ka bërë progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “2020 ishte vendimtar edhe për luftën kundër krimit, edhe për mua personalisht. Në 2020-n filloi aplikimi pikërisht i këtij ligji që filluam dhe goditjen. U shkoi një formular shumë mijëra vetëve në Shqipëri. U shkoi një formular që u kërkohej justifikimi për pasuritë që ishin evidentuar, dhe jo për orë të shtrenjta, por edhe për makina, por për pasuri gjigante. Filluan shumë njerëz të kërkonin dokumentet për t'i justifikuar. Dhe pastaj i ranë më shkurt, anuluan ligjin”, tha Lleshaj.

“Nuk kemi bërë progres esencial në luftën kundër aseteve kriminale, për arsye se është shumë e vështirë, përmes prokurorisë, me ato kapacitete që ka, në rrugë penale. Është e vështirë, për të mos thënë në Shqipëri e quaj të pamundur, që prokuroria të mund ta bëjë këtë. Prokuroria merret me krimin aktual. Ndërsa kjo pjesa, le të themi, e fshehtë, që nuk vret, e krimit që nuk vret, krimi që thjesht është një pasuri aty që shtohet e shtohet e shtohet, kjo, në rrugë penale, është shumë e vështirë të adresohet”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos