Dyzet vite poezi të Preç Zogaj u ngjitën në skenën e Durrësit përmes zërave të tre aktoreve të mirënjohura të skenës dhe kinematografisë shqiptare.
Yllka Mujo, Luiza Xhuvani dhe Elia Zaharia sollën para publikut durrsak vargjet e Preç Zogajt në recitalin “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, një përzgjedhje nga krijimtaria e tij përgjatë katër dekadave. Recitali poetik u zhvillua në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, me mbështetjen e Bashkisë Durrës, në praninë e autorit dhe botuesit Henri Çili.
Përmes interpretimit artistik, vargjet e Zogajt morën një tjetër dimension, duke sjellë te publiku lirizmin, dashurinë, reflektimin dhe tonet melankolike që përshkojnë krijimtarinë e tij.
Mbrëmja u shoqërua edhe me ccaste muzikore. Studentja e talentuar Keris Babliku interpretoi ndër të tjera në kitarë dhe këngën “Sytë e tu”, me tekst të Preç Zogajt.
Poezia, zëri dhe muzika u ndërthurën në një mbrëmje kushtuar katër dekadave të krijimtarisë së Preç Zogajt, duke sjellë në Durrës një përzgjedhje nga bota e tij poetike dhe një takim të veçantë mes vargut dhe publikut.
Top Channel