“Shenja e parë që jep zemra para një ataku kardiak”, kardiologia: Çfarë duhet të bëni në atë moment
Në Ditën Botërore të Zemrës, kardiologia Ëngjëllushe Hasani ka dhënë mesazhe të qarta për rëndësinë e parandalimit, kontrolleve të rregullta dhe njohjes së shenjave të një ataku kardiak. E ftuar në “Vizion Plus”, ajo theksoi se sëmundjet kardiovaskulare vijojnë të jenë një ndër shkaqet kryesore të vdekjeve dhe se problematika po shfaqet gjithnjë e më herët.
“Nuk është më një mit që sëmundjet kardiake prekin vetëm të moshuarit”, deklaroi Hasani, duke theksuar se faktorë si hipertensioni, obeziteti dhe mungesa e aktivitetit fizik po ndikojnë edhe te moshat e reja. Sipas saj, “80% e fëmijëve nuk bëjnë aktivitetin e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, ndërsa obeziteti te fëmijët prek rreth një në pesë fëmijë.
Kardiologia u ndal edhe te hipertensioni, të cilin e cilësoi si një “vrasës të heshtur”, pasi shpesh nuk shoqërohet me simptoma të dukshme. “Ne nuk duhet të presim të kemi shenja për tensionin. E vetmja gjë që na garanton është matja”, tha ajo, duke rekomanduar monitorim të rregullt të presionit arterial dhe kontroll të faktorëve të rrezikut.
Sa i përket shenjave të një ataku kardiak, Hasani paralajmëroi se shtrëngimi ose dhimbja e fortë në gjoks, veçanërisht kur zgjat disa minuta dhe përhapet drejt shpatullës, krahut, qafës, nofullës apo pjesës së sipërme të barkut, nuk duhet neglizhuar. Ajo theksoi se te gratë, të moshuarit dhe personat me diabet simptomat mund të jenë më atipike, si vështirësi në frymëmarrje, lodhje e pazakontë, djersitje ose dobësi e menjëhershme.
“Dhimbja ose shtrëngimi në gjoks është shenja e parë e zakonshme. Ajo ndiejë si një peshë e rëndë, shtypje, shtrëngim ose djegie në pjesën qendrore të krahërorit, e cila zgjat më shumë se disa minuta dhe mund të largohet e të rikthehet. Dhimbja mund të rrezatojë drejt krahut të majtë ose të dy krahëve, shpinës, qafës, nofullës apo pjesës së sipërme të stomakut. Po ashtu, mund të keni vështirësi në frymëmarrje, e cila ndodh përpara ose paralelisht me dhimbjen e gjoksit, madje edhe kur jeni në pushiim. Djersitja e ftohtë e papritur pa ndonjë arsye fizike, marramendja, këputja e trupit, si dhe përzierjet e stomakut apo të vjellat janë simptoma të tjera tipike.” , tha Hasani.
Sipas kardiologes, një rol të rëndësishëm në shëndetin e zemrës luajnë edhe aktiviteti fizik, ushqyerja, kontrolli i peshës, stresi dhe shmangia e duhanit, alkoolit dhe drogave. “Mbi 80% e sëmundjeve kardiake janë të parandalueshme”, u shpreh Hasani, duke shtuar se kontrollet duhet të nisin përpara shfaqjes së simptomave dhe se pas moshës 40 vjeç duhet të kontrollohen rregullisht yndyrat në gjak, presioni arterial dhe sheqeri.
Në fund, kardiologia përcolli një apel të drejtpërdrejtë për qytetarët: “Mos neglizhoni asnjë shenjë!” Në rast dhimbjeje të dyshimtë në gjoks, ajo këshilloi që personi të ndalojë aktivitetin, të ulet dhe të telefonojë menjëherë Urgjencën në numrin 127. “Koha është muskul. Sa më shpejt të mbërrini në urgjencë, aq më shumë muskul zemre shpëtohet”, theksoi Hasani.
/vizionplus.tv




