web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

KLSH gjen shkelje masive te mjedisi/ Falje e pajustifikuar e gjobave, mosarkëtim i dhjetëra miliona lekëve

29 Shtator 2026, 12:37, Denoncim CNA

KLSH ka bërë një auditim për të vlerësuar zbatimin e ligjeve dhe kritereve mjedisore nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për periudhën 2023–2025, si dhe nga 4 Agjencitë Rajonale të Mjedisit, ajo e Tiranës, Beratit, Lezhës dhe Fierit për periudhën 2021–2025. KLSH nënvizon se puna e këtyre institucioneve, e cila është parësore për dhënien e lejeve mjedisore, vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe kryerjen e inspektimeve, ka rezultuar me mangësi të shumta.

Gjatë kontrollit, institucioni i auditimit konstatoi faljen ose shfuqizimin e pajustifikuar të gjobave administrative në vlerën e 10,490 mijë lekëve, ndërsa gjobat për shkelje të lejeve mjedisore janë zëvendësuar shpesh me paralajmërime të thjeshta në kundërshtim me ligjin, nga vlera 11,600 mijë deri në vlerën 20,000 mijë lekë.

KLSH gjen shkelje masive te mjedisi/ Falje e pajustifikuar e gjobave,

Njëkohësisht ekziston një vlerë prej 70,207 mijë lekësh në gjoba administrative që nuk janë ndjekur dhe nuk janë arkëtuar, duke shkaktuar dëm të rëndë për buxhetin e shtetit. Sipas KLSH-së, janë dhënë leje mjedisore dhe licenca pa u verifikuar plotësisht dokumentacioni, ndërsa regjistrat e subjekteve përmbajnë pasaktësi, dublikime dhe të dhëna të papërditësuara.

KLSH evidenton se trupat inspektues janë treguar të dobët në procedurat e tyre, duke mos kryer riinspektime për shkeljet dhe duke dështuar në bashkëpunimin me laboratorët. Po ashtu Komisioni i Shqyrtimit të Ankimimeve ka anuluar gjoba të vendosura nga inspektorët pa analizuar saktë provat në terren.

KLSH ka kërkuar harmonizimin e ligjit të ri të inspektimeve me legjislacionin mjedisor, krijimin e një sistemi të unifikuar digjital për lejet, si dhe rritjen e kontrollit nga Agjencitë Rajonale të Mjedisit. Po ashtu kërkohet një analizë më e thellë nga Komisioni i Ankimimeve dhe marrja e masave të menjëhershme për arkëtimin e gjobave të pashlyera.

KLSH gjen shkelje masive te mjedisi/ Falje e pajustifikuar e gjobave,

Për shkak të shkeljeve të përhapura, sistemi i kontrollit të brendshëm është vlerësuar se ka dështuar, duke e çuar KLSH-në në dhënien e një opinioni të kundërt për përputhshmërinë e veprimtarisë së këtyre institucioneve. /CNA





Lajmet e fundit nga