
“Gjykata Kushtetuese nuk ngjitet dot në nivelin kushtetues! Nuk bëj dot teatër si shumë të tjerë!''
Është kjo akuza e Ervin Salianjit, i cili kishte procesin e tij në këtë gjykatë në orën 11:00. Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji thotë se: ''Vendimet në Gjykatën Kushtetuese merren shumë përpara se të mblidhen formalisht, me solemnitetin e rremë të një procedure që të gjithë e dinë si përfundon. Edhe vendimi i sotëm është marrë. Po jua komunikoj përpara''.
''Gjyqtarë të kësaj Gjykate e kanë mbajtur peng prej thuajse dy vitesh këtë çështje, për të zvarritur ankimin në Gjykatën e Strasburgut e sot erdhi dita që nuk mban më! Unë nuk jam dënuar si kriminel, por si kundërshtar i regjimit, si denoncues i grupeve më të fuqishme kriminale dhe për të më shmangur nga betejat elektorale. Gjyqi i caktuar sot është po me këtë qëllim: të më mbajë larg zgjedhjeve lokale'', shkruan Salianji në këtë reagim.
Ai thotë se sot do të duhej të ishte dita kur Kushtetuta të fliste më fort se pushteti i regjimit autokratik. Por, fatkeqësisht, dikush mbahet peng me dosje korrupsioni, dikush shantazhohet me regjistrime, dikush përballet me dosje si bashkëpunëtor i shërbimit dhe dikush me lidhje me grupe kriminale, si Xhafajt, akuzon më tej ish-deputeti demokrat. Ai deklaron se nuk tërhiqet, teksa beson se vendimi do të jetë kundër tij dhe paralajmëron betejën në Gjykatën e Strasburgut. (A2 Televizion)