Sekuestrohet në Stamboll avioni iranian, borxhi 3 milionë eurosh lë pasagjerët në tokë

Një avion pasagjerësh i kompanisë iraniane Caspian Airlines është sekuestruar në aeroportin e Stambollit për shkak të një borxhi prej rreth 3 milionë eurosh, duke ndërprerë fluturimin drejt Iranit në momentet e fundit para nisjes.
Avioni, një Boeing 737 me regjistrim EP-KPB, kishte përfunduar procedurat e imbarkimit dhe pasagjerët ndodheshin në bord kur në aeroport mbërritën avokatët e kompanisë kreditore dhe përmbaruesit, me një urdhër gjykate për sekuestrimin e avionit.
Sipas raportimeve, borxhi i kompanisë iraniane i detyrohet ACM Temsil Gözetim, një kompani turke që ofron shërbime përfaqësimi dhe mbikëqyrjeje në sektorin e aviacionit. Pas nisjes së procedurave ligjore, gjykata vendosi sekuestrimin e avionit si masë për garantimin e detyrimit financiar.
Përmbaruesit urdhëruan që pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të zbrisnin nga avioni. Ata u rikthyen në terminal, ndërsa avioni mbeti i bllokuar në aeroport dhe fluturimi u anulua.
Ngjarja vjen në një periudhë veçanërisht të vështirë për sektorin ajror iranian. Kompanitë ajrore të Iranit prej vitesh përballen me kufizime financiare dhe probleme në mirëmbajtjen e flotave, ndërsa sanksionet amerikane kanë vështirësuar aksesin në avionë, pjesë këmbimi, shërbime teknike dhe sistemin financiar ndërkombëtar.
Sekuestrimi në Stamboll ndodhi gjithashtu pak ditë pasi hynë në fuqi masa të reja amerikane ndaj sektorit iranian të aviacionit. Sipas të dhënave të raportuara nga Euroneës, numri i fluturimeve ndërkombëtare nga aeroporti kryesor i Teheranit është ulur ndjeshëm pas këtyre masave.
Megjithatë, Caspian Airlines vijonte të operonte fluturime drejt Turqisë, pasi Ankaraja nuk kishte vendosur një ndalim formal ndaj kompanive ajrore iraniane.
Avioni do të mbetet nën masën e sekuestrimit deri në zgjidhjen e detyrimit financiar ose në përmbushjen e kushteve të vendosura në procedurën gjyqësore. Ndërkohë, për pasagjerët po kërkohen alternativa për udhëtimin drejt Iranit.


