Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka zhvilluar sot një aksion në zonën pranë Bit Pazarit, ku janë larguar tezgat ilegale me fruta e perime dhe janë sekuestruar rreth 500 kilogramë produkte. Ndërkohë, në Gostivar janë asgjësuar 150 kilogramë mish i skaduar.
Të lidhura
None found
Aksioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit përgjatë bulevardit “Krste Petkov-Misirkov”, në pjesën që shtrihet nga qendra tregtare Mavrovasja deri te Bit Pazari. Në operacion morën pjesë inspektorët e AUV-së, inspektorët komunalë të Qytetit të Shkupit, Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Gjatë kontrollit u hoqën të gjitha pikat e paligjshme të shitjes, kryesisht ato që tregtonin fruta dhe perime. Përveç sekuestrimit të rreth 500 kilogramëve ushqime, kryesisht produkte bujqësore, autoritetet larguan edhe pajisjet e vendosura në mënyrë të kundërligjshme në shtigjet për këmbësorë dhe biçikleta. Në bashkëpunim me inspektorët komunalë, ndaj shkelësve do të merren masat përkatëse kundërvajtëse.
Një tjetër ndërhyrje u krye dje në bashkëpunim me SPB Gostivar. Veterinerët zyrtarë të AUV-së, në një pronë private në fshatin Çajle, sekuestruan dhe shkatërruan në mënyrë të sigurt 150 kilogramë mish të skaduar, pa deklaratë dhe me origjinë të panjohur. Produktet u dërguan për asgjësim në deponinë Rusino, njoftoi AUV.
