Pas kronikës së transmetuar në emisionin “Fiks Fare” në Top Channel, ku u publikuan pamje nga një bisedë e regjistruar mes drejtuesit të ISHTI-së dhe Rudina Demnerit, ka reaguar Sokol Zaimi, duke i cilësuar të dhënat e transmetuara si “disinformuese”.
Në reagimin e tij, Zaimi sqaron rrethanat e takimit me Demnerin, duke pretenduar se disa nga deklaratat e tij janë shkëputur nga konteksti dhe kanë deformuar kuptimin e bisedës. Sokol Zaimi mohon çdo lidhje mes deklaratave të tij dhe një kërkese për punësim, ndërsa kërkon nga Top Channel publikimin e videos së plotë të takimit.
Reagim ndaj kronikes se Fiks Fare:
Ndoqa me shqetësim kronikën disinformuese të transmetuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Fiks Fare” në Top Channel.
Sqaroj se, në datën 22 shtator, në prani edhe të Drejtoreshës së Burimeve Njerëzore të institucionit, kam pritur në takim Rudina Demneri, e njohur për publikun si Paloma, e cila është interesuar për punësimin e një personi të saj të afërm. E kam informuar qartësisht, në prezencë të Drejtoreshës së Burimeve Njerëzore të institucionit ritheksoj, se nevojat e institucionit janë kryesisht për inxhinierë elektrikë dhe se çdo person i interesuar për punësim duhet të ndjekë një procedurë ligjore, sipas hapave dhe kritereve të përcaktuara.
Biseda rreth Znj. Balluku u provokua qëllimisht nga Demneri, e cila ju referua si mikeshë të mirë, të cilën e takon shpesh dhe për të cilën gëzon vlerësim.
Fjalia ime e përfshirë në kronikë është shkëputur qëllimisht nga konteksti i bisedës dhe është paraqitur në një mënyrë që deformon kuptimin e asaj që kam thënë. Ajo nuk ka asnjë lidhje me kërkesën e bërë nga znj. Demneri për punësim dhe as me ndonjë proces tjetër institucional.
Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i qartë: Unë besoj se znj.Balluku, në përfundim të betejës së saj ligjore, do të dalë e pafajshme, pasi, për aq sa e kam njohur në marrëdhëniet tona të punës, ajo ka qenë e drejtë dhe korrekte. Ky është një qëndrim imi personal dhe nuk ka lidhje me detyrën apo pozicionin tim institucional.
Edhe referimi im ndaj znj. Balluku me fjalën “shefe” është pjesë e respektit personal që unë kam për të dhe nuk lidhet në asnjë mënyrë me pozicionin tim aktual si drejtues i ISHTI.
Është e papranueshme që fjalët e mia të priten, të përzgjidhen dhe të vendosen në një kontekst të ndryshëm nga ai në të cilin janë thënë, duke i dhënë publikut një mesazh që unë nuk e kam thënë dhe nuk e kam nënkuptuar.
Prerjet dhe përzgjedhjet e fjalëve jashtë kontekstit janë të qëllimshme dhe, sipas vlerësimit tim, janë pjesë e një sulmi të koordinuar të televizionit Top Channel ndaj meje. Arsyet e këtij sulmi nuk i di dhe nuk i vlerësoj dot, por një gjë është e qartë: Nuk do të lejoj që fjalët e mia të deformohen dhe të përdoren për të krijuar një realitet të rremë para opinionit publik.
Ndaj, i bëj thirrje Top Channel të transmetojë videon e plotë të regjistruar në menyrë të fshehtë nga Demneri.
Trishtim tek sheh se si televizioni dikur më i ndjekur nga shqiptarët, është shndërruar në një gjobëvënës.


