
Kryeministri Edi Rama, i ftuar në Samitin e Euronews 2026, foli për investimet në turizëm dhe veçanërisht për projektin që përfshin ishullin e Sazanit dhe Zvërnecit. Rama tha se Shqipëria po synon të sjellë një prej investimeve më të mëdha turistike në Europë të viteve të fundit, që mund t’i sjellë vendit 6 miliardë euro.
“Ne jemi në përpjekje për të sjellë investimin më të madh në Europë prej shumë vitesh në turizëm, që kombinuar midis ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Zvërnecit, mund të arrijë në 6 apo më shumë miliardë. Pse po ndodh? Po ndodh sepse jemi hapur si vend dhe njerëzit po shikojnë ku janë mundësitë, sepse Shqipëria ka kushtet për të punuar me investuesit e mëdhenj, në mënyrë serioze, profesionale, edhe sepse më kanë qejf”, tha Rama.
Kryeministri komentoi edhe protestat kundër projekteve, duke u shprehur se ato u nxitën nga emri i Jaerd Kushnerit, dhe kishin si qëllim luftën ndaj Trump-it.
I pyetur nga moderatorja përse duhet të investojë në një situatë që mund t’i çojë në perceptim negativ, Rama tha: “Askush tjetër s’është dhëndri i Donald Trump-it. Kështu që askush tjetër nuk rrezikon që të gjendet nën projektorin e të majtëve, demokratëve, gazetarëve, liberalëve, etj., etj., që mezi presin që të gjejnë një arsye për të luftuar me Trump-in, në Europë, Amerikë, Tokë apo Hënë”.
Sipas tij, interesi për investimin në Shqipëri nuk lidhet me politikën apo me Donald Trumpin, por me mundësitë që ofron vendi për investime të mëdha.
“Arsyeja reale pse kanë ardhur s’është politike, nuk lidhet me Trump-in, por me faktin që dhëndri i Trumpit së bashku me një kompani të madhe nga Katari, e pa shumë tërheqëse të investonte në Shqipëri. Biseda ka nisur kur nuk ishte akoma e qartë nëse Trump do të shkonte në Shtëpinë e Bardhë apo në burg”, deklaroi kryeministri. (A2 Televizion)