Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në Samitin për Turizmin. Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te zhvillimi i turizmit në Shqipëri, rritja e numrit të vizitorëve të huaj dhe ndryshimi i perceptimit ndërkombëtar për vendin.
Ai tha se synimi i Shqipërisë është vijimi i rritjes së numrit të turistëve dhe ndryshimi i perceptimit për vendin në sytë e vizitorëve të huaj.
“Duam shifrat që të rriten. Duhet të përçosh një mesazh tjetër, që ky vend nuk është ai për të cilin dëgjoni. Shqipëria është vendi me normën më të ulët të vjedhjeve në Evropë, britanikët janë në vend të parë. Ky turist pra përçon mesazhin“, tha Rama.
Kryeministri theksoi se zhvillimi i turizmit gjatë viteve të fundit ka ndikuar, sipas tij, në ndryshimin e perceptimit ndërkombëtar për Shqipërinë. Rama e cilësoi Shqipërinë si një perlë të vogël në zemër të Evropës dhe tha se objektivi nuk është izolimi, por integrimi në hapësirën evropiane.
“Ajo që ka ndodhur gjatë këtyre viteve ka ndihmuar në ndryshimin e perceptimit që ishte krijuar dhe godiste gjithmonë në kokë si gropa e zezë e Evropës. Nuk jemi. Jemi një perlë e vogël e Evropës që ndryshon. Ne jemi një vend i vogël në zemër të Evropës. Nuk e përballojmë dot luksin që të luajmë me këmbënguljen që i reziston botës. E bëmë një herë dhe nuk përfundoi shumë mirë për ne”, tha Rama.
Në përfundim, kryeministri deklaroi se ambicia e Shqipërisë është të jetë pjesë e mozaikut evropian.
“Ne jemi një vend i vogël në zemër të Evropës. Nuk e përballjmë dot luksin që të luajmë kështjellën që i reziston botës. E bëmë një herë dhe nuk përfundoi shumë mirë për ne. Duam të jemi një copëz e vogël që shkëlqen në mozaikun e Evropës”, tha ai.
Lini një Përgjigje