
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri me dije se ka më shumë se 8,000 trupa të Koresë së Veriut në territorin rus dhe po bëhen përgatitje për të vendosur edhe 10 mijë trupa të tjera. Duke cituar “të dhëna të reja” mbi vendosjen e trupave të Koresë së Veriut në Rusi, Zelenskyy tha në një postim në X se ata “po zgjidheshin për trajnim dhe më pas vendosje në Rusi”
"Kemi të dhëna të reja mbi vendosjen e trupave të Koresë së Veriut në Rusi. Aktualisht ka më shumë se 8 mijë trupa të Koresë së Veriut në territorin rus. Përveç kësaj, po bëhen përgatitje për të vendosur edhe 10 mijë trupa të tjera. Ata po përzgjidhen për trajnim dhe më pas vendosje në Rusi", tha Volodymyr Zelenskyy President i Ukrainës.
Presidenti ukrainas tha në gusht se deri në 50,000 ushtarë të Koresë së Veriut mund të dërgohen për të luftuar për Rusinë dhe i bëri thirrje Koresë së Jugut të ofrojë mbështetje për mbrojtjen ajrore të Ukrainës. Koreja e Jugut njoftoi në korrik një paketë ndihme prej 100 milionë dollarësh për Ukrainën, megjithëse përjashtoi armët vdekjeprurëse.
Putin nënshkroi një dekret të hënën duke rritur numrin e personelit të ushtrisë me 15,500 ushtarë shtesë. "Numri i lejuar i personelit të Forcave të Armatosura Ruse është vendosur në 2,441,630 persona, përfshirë 1,550,500 personel ushtarak", thuhej në dekret. Putin nuk dha një arsye për rritjen. Ai kishte njoftuar tashmë rritje të ngjashme në mars, qershor dhe korrik.
Ndërkohë, një ndërtesë u përfshi nga flakët dhe punonjësit e emergjencës trajtuan viktimat në Kiev, pas një sulmi herët të martën. Videoja e shpërndarë nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës në rajonin e Kievit tregoi tym të dendur që dilte nga një ndërtesë që digjej, ndërsa personeli i emergjencës u kujdes për të plagosurit në errësirë.
Mbetjet e raketave ranë në oborrin e një ndërtese banimi, ndër dëme të tjera, dhe një ndërtesë jo-banesore u përfshi nga flakët në një pjesë tjetër të qytetit, tha kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, në Telegram. (A2 Televizion)