Ish-shefja e SHISH-it, Vlora Hyseni e cila u arrestua dhe u la në arrest shtëpie pasi akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrjeve të sekreteve shtetërore, kërkon heqjen e masës së sigurisë.
Burime për mediat bëjnë me dije se Hyseni ka ankimuar çështjen e saj së fundmi në Apelin e GJKKO-së, duke kërkuar heqjen e masës “arrest shtëpiak”.
Konkretisht, për Vlora Hysenin janë caktuar masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
Nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal bëjnë fjalë për Përkrahje të autorit të krimit, në këtë rast Ergys Agasi, në mënyrë që ai t'i shpëtojë kërkimit, kapjes ose arrestimit, si dhe Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete, dhënia e informacioneve të konsideruara sekret ndaj personave të tretë, sërish në këtë rast Ergys Agasi. Vlora Hyseni akuzohet për këto dy vepra penale dhe ndaj saj janë caktuar dy masat e sigurisë të mësipërme.
Pas shkarkimit nga detyra dhe vendosjes së saj nën masën “arrest në shtëpi”, një tjetër detaj ka tërhequr vëmendjen rreth ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Emri i saj është zhdukur nga faqja zyrtare e SHISH-it. Në historikun e institucionit nuk shfaqet më as emri dhe as fotografia e ish-drejtoreshës, e cila deri pak ditë më parë qëndronte në krye të një prej strukturave më të rëndësishme të sigurisë kombëtare në Shqipëri.
Ndryshimi vjen pas skandalit që “shpërtheu” disa ditë më parë, ku SPAK kërkoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Hysenin, e cila akuzohet se ka nxjerrë sekrete hetimore dhe ka ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi si para po ashtu dhe gjatë periudhës kur ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Po ashtu, ajo u pezullua nga detyra ndërsa ndaj saj u ngritën dyshime për akuzat “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”.
Në seancën e mbajtur në GJKKO, më 24 shtator, u la në fuqi masa e sigurisë "arrest në shtëpi" për Vlora Hysenin, mirëpo kjo e fundit kërkon heqjen e kësaj mase sigurie.
Skandali i ish-kreut të SHISH u thellua më tej, pasi në pjesë të dala nga dosja hetimore në ngarkesë të saj, u zbulua se Vlora Hyseni përveçse i jepte Ergys Agasit informacione nga sekretet shtetërore, ka pasur dhe një marrëdhënie të ngushtë me biznesmenin, të cilit i premtonte “fikjen e radarëve të shtetit” për të.
Në dosjen AKSHI deri tani kjo është historia më e fortë ku pasioni, pushteti, korrupsioni e krimi bëhen bashkë!

